Pas më shumë se një viti në burg, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka lënë qelinë me vendim të gjykatës së Elbasanit.
Gjykata ka vendosur lirimin me kusht të Tahirit, i cili pjesën e mbetur të dënimit do e kryejë në shtëpi. Tahiri vuante dënimin e tij në burgun e Lushnjës.
Ish-ministri i Brendshëm u dënua me 3 vite e 4 muaj burg duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar për ‘Shpërdorim detyre” dhe se i ka mbetur më shumë se 1 vit burg për të kryer ende.
Në vendimin e gjykatës thuhet se “Lejohet i dënuari Samir Bashkim Tahiri, që gjatë periudhës se qëndrimit në shtëpi të largohet nga vendbanimi tij për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare për të cilat Shërbimi i Provës është dakord”.
Saimir Tahiri u dënua me burg në shkurt të 2022, ndërsa disa herë kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për lirim nga burg, kërkesë që nuk ishte pranuar. Ish-ministrit Saimir Tahiri përtej dënimit i është hequr e drejta edhe për të ushtruar funksione publike për një periudhë 3-vjeçare.
Tahiri dyshohet se kishte lidhje me dy anëtarë të organizatës, vëllezërit Moisi dhe Florian Habilaj, i pari i arrestuar në Itali. Habilajt janë të afërm të ish-ministrit, emri i të cilit ka dalë disa herë në përgjimet e kryera nga hetuesit italianë.
Pas hetimeve SPAK kërkoi 12 vite burg për Tahirin me akuzat për "Shpërdorim detyre" “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal", por GJKKO vendosi ta dënojë atë vetëm për “shpërdorim detyre” me 5 vite burg, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 3.4 vite burg.
Avokati i ish ministrit të Brendshëm, Maks Haxhia tha se kishte disa arsye që gjykata vendosi në favor të lirimit nga qelia të Saimir Tahirit. Haxhia tha se bashkëshortja e Tahirit ka probleme shëndetësore dhe nuk kujdeset dot për fëmijët, ndërsa vetë ish ministri nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe i kanë mbetur më pak se 2 vite burg për të mbyllur dënimin.
Për lirimin e tij nga burgu ka reaguar edhe opozita, ku kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi e ka cilësuar tallje me drejtësinë dhe vendim politik lirimin e Tahirit, ndërsa Sali Berisha tha se kjo u bë me urdhër të kryeministrit Rama.
/rtsh.al/