Avokati i ish ministrit të Brendshëm, Maks Haxhia tha se kishte disa arsye që gjykata vendosi në favor të lirimit nga qelia të Saimir Tahirit. Haxhia tha se bashkëshortja e Tahirit ka probleme shëndetësore dhe nuk kujdeset dot për fëmijët, ndërsa vetë ish ministri nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe i kanë mbetur më pak se 2 vite burg për të mbyllur dënimin.
Këto sipas tij janë dhe arsyet që Gjykata e Elbasanit vendosuri lirimin e Tahirit dhe përfundimin e dënimit të tij në shtëpi.Haxhia shtoi se vetë Tahiri do të ketë kontakte me shërbimin e provës herë pas here.
“Tahiri ka rrezikshmëri të ulët shoqërore, dhe i ka ngelur dhe 1 vit e 7 muaj vite burg, ka në ngarkim dy fëmijët dhe bashkëshortja nuk ka mundësi të mbajë fëmijët. Bashkëshortja vuan nga një sëmundje që kur e kapin krizat nuk i shërben dot fëmijëve. Në këto kushte pas 5 muajsh që është paraqitur kërkesa gjykata i analizoi dhe dha vendimin për të ndryshuar vendimin nga qëndrimi në burg dhe qëndrimi në shtëpi. Tahiri do mbajë lidhje me shërbimin e provës lidhur me shkollimin e fëmijëve dhe kujdesjen e bashkëshortes, do ketë kontakt me shërbimin e provës dhe do e lajmëroj atë për gjithçka”, tha Haxhia.
Haxhia tha se ekspertiza është bërë nga mjekësia ligjore.
“Ekspertët ishin të mjekësi ligjore dhe jo privat. Këtë e lejon ligji”, tha ai.
Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka lënë qelinë me vendim të gjykatës së Elbasanit, i cili pjesën e mbetur të dënimit do e kryejë në shtëpi.
Ish-ministri i Brendshëm u dënua me 3 vite e 4 muaj burg duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar për ‘Shpërdorim detyre” dhe se i ka mbetur 1 vit e 7 muaj burg për të kryer ende.
/rtsh.al/