Para nisjes së takimit të kryeministrit Edi Rama me diasporën shqiptare në Londër është zhvilluar edhe një protestë para sallës ku po zhvillohet takimi. Me pankarta në duar “Rama ik” dhe me flamuj të Partisë Demokratike, protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit Rama.
Në nisje të fjalës së tij para diasporës, Rama i cilësoi protestuesit si një “grusht të verbërisht që janë të nxitur nga të verbrit në Tiranë”.
“Duke qenë se unë u bëra shkak të vini sot këtu dua t’ju kërkoj ndjesë për një grusht të verbërisht atje te dera që të nxitur nga të verbrit në Tiranë kishin marrë me vete librin e shtëpisë tonë dhe e bërtisnin aty përballë. Me keqardhje por pa asnjë dyshim me vetëdijen se edhe ata janë pjesë e familjes tonë të madhe unë kam besimin se kjo ndasi e vjetër është drejt fundit të saj”, tha Rama.
Duke u kërkuar votën për zgjedhjet parlamentare 2025, Rama tha se Shqipëria është larguar “sokaku i të marrëve” dhe se Shqipëria nuk paragjykohet dhe përçmohet më nga mediat në botë si 11 vite më parë.
“Nuk ka më vend për të qenë të ndarë në këtë formë ku ndasia u shfaq sot me 30 veta atje jashtë, të cilët nuk ndalonin së shari në shembullin e atyre që e kanë bërë parlamentin e Shqipërisë sokakun e të marrëve dhe predikojnë shkatërrim. Sot ju nuk jeni më ata që ishit kur erdhët këtu me emër tjetër dhe as Shqipëria nuk është më ajo që ishte 11 vite më parë kur përgojohej dhe përçmohej nëpër pasqyrat mediatike të Europës. Kur mora detyrën në mes të detit të paragjykimeve nga bota që ishte mësuar ta shihnte vendin me nënçmim, nuk e gjeje dot një shkrim pozitiv për vendin tonë në gazetat dhe tv e kontinentit. Shqiptarët në Europë hasnin në reagime përçmuese kur tregonin se nga vinin”, tha Rama.
/rtsh.al/