RTSH 24 Live

Aktualitet

Vranë biznesmenin në Tiranë për konflikte pronësie, arrestohen dy vëllezërit, njëri prej tyre polic

2 orë para

Vranë biznesmenin në Tiranë për konflikte pronësie, arrestohen dy vëllezërit, njëri prej tyre polic

Policia e Shtetit ka zbardhur vrasjen e biznesmenit të ndërtimit Eduard Reçi, më 13 nëntor pranë banesës së tij në Tiranë. Si autor të ngjarjes u arrestuan dy vëllezër, njëri prej të cilëve ishte edhe efektiv policie.

Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë orëve të natës të 13 nëntorit, ku Eduard Reçi u qëllua për vdekje nga dy vëllezërit.

Sipas policisë shkak për vrasjen është bërë prona, ku biznesmeni po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë kufitar me pronën ku do ndërtohej.

“Ndër personat me të cilët Eduard Reçi, kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit F. D., dhe Sh. D.”, njofton policia.

Në pranga përfunduan dy vëllezërit Sh. D., 48 vjeç, oficer policie dhe F. D., 45 vjeç, të cilët akuzohen për veprave penale "Vrasja me paramendim" e kryer ne bashkëpunim dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".

Gjatë kontrollit në banesat e vëllezërve dhe lokalin e tyre u gjetën një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.

Atentati ndodhi përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë, ku biznesmeni u qëllua me një plumb në kokë dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës.

/rtsh.al/