Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi e ka cilësuar tallje me drejtësinë vendimin për lirimin nga qelia të ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.
Bardhi tha se ky është një vendim politik që nuk i jep fund pandëshkueshmërisë dhe thellon korrupsionin dhe abuzimit me pushtetin.
"Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të mbahet mend si ministri kampion i Edi Ramës që garantojë paprekshmërinë e grupeve kriminale, thellojë bashkëpunimin e shtetit me to dhe si kurrë më parë me leje shtetërore mbushi vendin me kanabis, duke favorizuar fuqizimin e krimit të organizuar.
Lirimi para kohe me kusht i tij është një tallje e drejtësisë me drejtësinë. Ndërsa qytetarët shqiptarë presin nga drejtësia e re t’i jepet fund pandëshkueshmërisë, zyrtarët e lartë të korruptuar përfitojnë nga vendime gjyqësore thellësisht politike, që i shndërrojnë dënimet e tyre në qesharake.
Abuzuesit e pushtetit duhet të vujanë të plotë dënimin e tyre, pa asnjë favorizim politik dhe duke u trajtuar të barabartë me çdo qytetar tjetër. Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike e konsideroj vendimin e sotëm politik të Gjykatës së Elbasanit një turp të drejtësisë dhe si një nxitje për thellimin e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”, shkruan Bardhi.
Saimir Tahiri u lirua sot (2 qershor) me vendim të Gjykatës së Elbasanit, ku pjesën e mbetur të dënimit do e kryej nga shtëpia.
/rtsh.al/