RTSH 24 Live

Politikë

Arrestimi i Belerit, Mitsotakis: Të lirohet menjëherë, nuk lejojmë cenimin e të drejtave të pakicës kombëtare greke

12/05/2023

Arrestimi i Belerit, Mitsotakis: Të lirohet menjëherë, nuk lejojmë cenimin e të drejtave të pakicës kombëtare greke

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka reaguar ashpër në lidhje me arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri,  anëtari i minoritetit grek, duke e konsideruar si një ngjarje “jashtëzakonisht të pakëndshme”.

Në një deklaratë për mediat nga ishulli i Lesbos në Greqi, Mitsotakis tha se ata nuk do të tolerojnë në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke, ndërsa kërkoi lirimin e “menjëhershëm” të Belerit.

Më lejoni këtu të hap një parantezë dhe të them diçka për një ngjarje jashtëzakonisht të pakëndshme të ndodhur në Shqipërinë fqinje, mëngjesin e sotëm, ku për fat të keq u arrestua kandidati për Kryetar Bashkie të Himarës dhe anëtari i Minoritetit Kombëtar grek, Fredis Beleris. Unë dua që këtu nga Lesbos t'i dërgoj një mesazh Shqipërisë. Nuk do ulim vigjilencën tonë për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke. Nëse Shqipëria dëshiron t'i afrohet Bashkimit Evropian, ajo ka detyrimin të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme bashkiake dhe të lirojë menjëherë ata që ka burgosur, në mënyrë që të marrin pjesë në procesin zgjedhor”, tha ai.

Gjithashtu, Mitsotakis, ka informuar presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen lidhur me arrestimin e Fredi Belerit, dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit.

“Shqipëria duhet të kuptojë se Greqia dhe BE, nuk do të pranojnë shkelje të ligjit për mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke” shkruan Kiriakos Mitsotakis në një postim në Facebook.

Ndërkohë ministri i Jashtëm grek, Dendias informoi se kishte njoftuar përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell si dhe ministrin e Jashtëm të Suedisë, Tobias Billstrom, i cili mban Presidencën e BE-së.

Në të njëjtën kohë, ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Konstantina Kamitsi, pas një udhëzimi përkatës të ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, shkoi në komisariatin e policisë ku po mbahet Fredi Beleri.

Gjatë ditës së sotme (12 maj) prokuroria e Vlorës lëshoi urdhër arresti për Fredi Belerin me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, ku sipas tyre “Beleri u kap në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës”.

Në lidhje me ngjarjen reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se ndalimi Bejleri është bërë me urdhër të prokurorisë, ndërsa kërkoi që të mos dilet në përfundime “të nxituara politike”, por të priten provat e drejtësisë.

Reagimi i Tiranës

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, OIta Xhaçka i bëri thirrje Athinës që të monitorojnë nga afër e me durim zhvillimin e çështjes, duke lejuar drejtësinë shqiptare të kryejë punën e saj, pa presione të jashtme apo mesazhe përçarëse.

“Është mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve”, tha Xhaçka

Kreu i qeverisë kërkoi që të mos dilet në përfundime “të nxituara politike”, por të priten provat e drejtësisë.

Policia tha se Beleri ishte arrestuar për korrupsion aktiv në Zgjedhje” pas një procedimi penal të nisur më 8 maj.

“Aktet e administruara deri më tani në funksion të hetimit për këtë procedim penal, nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, informacione në lidhje me disa shtetas të dyshuar të përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të shit-blerjes së votës, për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023, në qytetin e Himarës dhe në fshatrat që janë pjesë e bashkisë Himarë, duke iu ofruar qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurrues”, tha policia.

/rtsh.al/

/rtsh.al/