Është firmosur urdhër-arresti, 11 orë pas ndalimit nga Policia, për kandidatin e "Bashkë Fitojmë" për Bashkinë e Himarës, Fredi Belerit.
Arrestimi në flagrancë i Belerit, është kryer nën akuzën për “Korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”.
Sipas dokumentit, Beleri është kapur në flagrancë me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.
Në procesverbalin e arrestit bëhet me dije se urdhri është firmosur dhe nga vetë Beleri, ndërsa sqarohet konkretisht se “Ky shtetas është kapur në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona te tjere, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës”.
Arrestimi i 51-vjeçarit Fredi Beleri alias Dhionisios Beleri u krye në kuadër të operacionit të koduar “Matrix” dhe 44-vjeçari Pano Kokoveshi, si dhe u sekuestruan 40 mijë lekë në cilësinë e provës materiale”
Beleri është dënuar dhe më parë me 3 vite heqje lirie për nxitje dhe urrejtje nacionale në vitin 2003.
Reagon Tirana dhe Athina
Arrestimi i Belerit ka shkaktuar gjatë ditës reagime politike në Shqipëri dhe në Greqi
Në një reagim në rrjete sociale, kryeministri Edi Rama e quajti sprovë të madhe.
''Ndalimi i Belerit me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar'', shkruan Rama.
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis e konsideroi ngjarje “jashtëzakonisht të pakëndshme”
Ndërsa ministri i Jashtëm Dendias tha se kishte informuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Joseph Borrell si dhe ministrin e Jashtëm suedez, ndërsa theksoi se qeveria greke do ta monitorojë nga afër këtë çështje.
/rtsh.al/