Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias ka komentuar arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës. Më herët ai urdhëroi edhe ambasadoren greke në vendin tonë që të zhvillojë një takim me ministren e Jashtme Olta Xhaçka pikërisht për t’u njohur me rastin.
Nga Brukseli, ku po zhvillohet një takim jozyrtar i ministrave të jashtëm për Ukrainën, Dendias tha se nëse nuk ka prova të forta, arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie dy ditë para zgjedhjeve është një skandal, raporton Skai.gr
“E përsëris diçka që e pranoi edhe kryeministri Rama, arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie dy ditë para zgjedhjeve nëse nuk ka prova të forta është skandal”, tha Dendias
Lidhur me rastin Dendias tha se ka informuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Joseph Borrell si dhe ministrin e Jashtëm suedez, ndërsa theksoi se qeveria greke do ta monitorojë nga afër këtë çështje.
Gjatë ditës së sotme (12 maj) prokuroria e Vlorës lëshoi urdhër arresti për Fredi Belerin me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, ku sipas tyre “Beleri u kap në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës”.
Në lidhje me ngjarjen reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se “ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Bejleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar”.
/rtsh.al/