Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Konstantina Kamitsi mëngjesin e sotëm ka shkuar në ministrinë e Jashtme të Shqipërisë për të përcjellë shqetësimin e Athinës për arrestimin e Fredi Belerit, kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Himarë.
Burimet bëjnë me dije për rtsh.al se ambasadorja është pritur nga një përfaqësues i ministrisë së Jashtme.
Takimi ka zgjatur vetëm disa minuta, kohë sa për paraqitur shqetësimin për arrestimin e Belerit.
Zv.ministri i Jashtëm grek Miltiadhis Varviciotis tha se me udhëzim të ministrit të Jashtëm Nikos Dendias, ambasadorja ka bërë një demarsh me Ministrinë Shqiptare të Evropës dhe Punëve të Jashtme.
Arrestimi
Fredi Belerit iu firmos urdhërarresti rreth orës 09: 45 minuta të 12 majit, pikërisht 11 orë pas ndalimit të tij, me akuzën: "Korrupsioni aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 328 e 25 te K.Penal”
"Ky shtetas është kapur në flagrancë në Himarë me datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkepunim me persona te tjere, duke premtuar dhe dhene shuma monetare personave të ndryshëm me qellim blerjen e votes" shkruhet në procesverbalin e arrestimit.
Reagon Rama
Nga ana e tij kreu i qeverisë ka kërkuar që të mos dilet në përfundime “të nxituara politike”, por të priten provat e drejtësisë.
“Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”, shkruajti Rama në një postim në twitter.
Telefonata e Dendias
Pas lajmit për arrestimin e Belerit, mediat greke bëjnë me dije se Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias pasi ka komunikuar me Kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, ka kontaktuar me Kryeministrin shqiptar Edi Rama për këtë çështje. Sakaq, organizatat e minoritetit, OMONIA dhe KEAD, reaguan ashpër ndaj “sulmit të paprecedentë” kundër diasporës helene të Shqipërisë.
/rtsh.al/