RTSH 24 Live

Politikë

Berisha takim virtual me drejtuesit politik të qarqeve: Më 26 nëntor protestë në Tiranë

2 orë para

Berisha takim virtual me drejtuesit politik të qarqeve: Më 26 nëntor protestë në Tiranë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim virtual me drejtuesit politikë të qarqeve, ka diskutuar lidhur me protestën që partia që ai drejton planifikon të zhvillojë më 26 nëntor në Tiranë.

Gjatë këtij takimit, Berisha kërkoi mobilizim nga drejtuesit e qarqeve për zhvillimin e protestës, që, sipas tij, është vazhdim i ‘mosbindjes civile’.

“Kjo mbledhje e thirrur me urgjencë, lidhet me protestën, me marshimin në Tiranë të qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë me datën 26 nëntor, ora 5. Kërkoj nga ju, nga kryetarët e degëve, kryesitë e degëve, anëtarët e kryesive, kryetarët e grup- seksioneve, anëtarët e grup-seksioneve dhe mbështetësit tanë, një mobilizim të jashtëzakonshëm në mënyrë që Tirana me datë 26 të jetë e tëra në duart e qytetarëve dhe jo të qeverisë”, tha Berisha.

Sipas tij, policia të mos të guxojë të prekë protestuesit e zemëruar.

“Drejtuesit politikë të qarqeve, duhet të marrin çdo masë për një dyndje masive të opozitarëve në Tiranë. Duhet të marrim çdo masë për të dëshmuar përpara shqiptarëve se ne jemi shumica, dhe jo vetëm shumica politike, por edhe shumica numerike dhe se narko-diktatura nuk ka të ardhme. Ajo mbahet tani nga organet e dhunës. Një akt që më rikujton muajt e fundit të diktaturës komuniste. I ndërruan të gjithë drejtorët dhe sollën në krye të policisë banditë të damkosur, njerëz me lidhje të certifikuara, ushtarë të krimit. Por unë jam këtu për të paralajmëruar, mos guxoni të prekni protestuesit e zemëruar”, tha Berisha.