Pediatria infektive në QSUT është plot me fëmijë të shtruar me problematika të ndryshme shëndetësore.
“Aktualisht shtrimet në klinikën infektive të QSUT janë në kapacitetet të plotë. Bëjmë dalje dhe shtrime të reja brenda ditës por gjatë këtyre ditëve shtrimet kanë qenë të vazhdueshme”, u shpreh Prof.Gjeorgjina Kuli, Shefe e pediatrisë infektive, QSUT
Por ajo që është më shqetësuese për mjekët është qarkullimi I shtruar I virusit sinsicial respitator I cili është verifikuar në laborator falë tamponimit që I është bërë fëmijëve të ardhur në infektiv.
“Momentalisht kemi diagnoza të tilla si infeksione të rrugëve të sipërme e të poshtme respiratore, kryesisht bronkiolite, të cilat shkaktohen nga virusi sinsicial respirator. Kohët e fundit na është dhënë mundësia e kryerjes së tamponëve tek këta fëmijë. Themi gjithmonë virozë, por nuk arrijmë të përcaktojmë në kohë etiologjinë e virusit. Momentalisht kemi informacion pasi tamponohen fëmijët për çfarë lloj virusi bëhet fjalë dhe fatkeqësisht në këtë moment kemi një shtim te rasteve me virusin sinsicial respirator. Kjo është shqetësuese sepse zakonisht foshnjat që në ditët e para e deri në muajt e parë të jetës preken. Rrugët e poshtme të mushkërive janë të mbushura me sekrecione nga kontaminimi me virusin dhe bëjnë klinika të rënda deri në pamjaftueshmëri të frymëmarrjes dhe kërkojnë jo vetëm hospitalizim por edhe oksigjenim . Momentalisht kjo është sëmundja më shqetësuese”, tha Kuli.
Ky lloj virusi nuk ka një protokoll mjekimi specifik ndaj mjekët detyrohen të luftojnë me shenjat e sëmundjes
“Rastet e rënda kur kërkojnë asistencë respiratore trajtohen nga reparti i reanimacionit që mban edhe parametrat jetikë në normë për të mos pasur asnjë pasojë fëmija edhe pasi kalon infeksionin. Duke qenë virale dhe duke qenë se nuk ka mjekim specifik, kanë kohëzgjatje të ndryshme sepse ne bëjmë mjekim simptomatik, pra luftojmë ato shenja që jep sëmundja por virusi nuk zhduket”, tha Prof. Gjeorgjina Kuli.
Mbrojtja më e mirë thotë Prof. Kuli është vaksinimi sidomos për foshnjat prematurë.
“Momentalisht si mjekë pediatër dhe si shoqatë e pediatrisë, në bashkëpunim edhe me ISHP jemi përfshirë në një fushatë që të promovojmë vaksinën ndaj RSV ( virusit sinsicial respirator) si për fëmijët e lindur para kohë, pra prematurë, ashtu dhe për gratë shtatzëna”, theksoi profesoresha.
Virusi Sinsicial Respirator ka një kohë infektimi që zgjat nga 2 deri në 5 dite ndërsa mjekimi I tij shkon edhe 3 javë për shkak të komplikacioneve që ai jep.
Gazetare: Sonila Mlloja
/RTSH/