RTSH 24 Live

Sociale

Gjakmarrja në qarkun e Lezhës - Sipas misionarit Pjetër Gjoka janë 36 familje të ngujuara

3 orë para

Gjakmarrja në qarkun e Lezhës - Sipas misionarit Pjetër Gjoka janë 36 familje të ngujuara

36 është numri i familjeve të ngujuara  nga gjakmarrja, në qarkun Lezhës, një fenomen shqetësues që ka pësuar rritje, nga 30 që ishin më parë. Të dhënat zyrtare janë dhënë nga Misioni i Pajtimit të Gjaqeve dhe sipas  Pjetër Gjoka, pjesa më e madhe janë krime të cilat kanë ndodhur brenda territorit të Lezhës, por nuk mungojnë sipas tij, as të ardhurit nga zonat verilindore.

“Kemi raste që vrasësi në kohë të kahershme ka dal nga burgu dhe kemi 3 familje të tilla, 2 në Lezhe dhe një në Torovicë”, u shpreh Misionari i Pajtimit të Gjaqeve, Pjetër Gjoka.

Të mbyllur brenda katër mureve të shtëpisë, këto familje po jetojnë në kushte të vështira ekonomike, ndërsa mbështetja e institucioneve shtetërore ,përjashto Bashkinë e Lezhës ka munguar, shprehet Misionari i Pajtimit të Gjaqeve, Pjetër gjoka.

“Jemi të prirur ti shkojmë ligjit, institucioneve, kompromisi, dialogut, një fryme pajtimi mes këtyre familjeve jo gjithçka sipas Kanunit”, u shpreh Gjoka.

Bashkia Lezhë bën me dije se ndër vite janë menaxhuar tre familje me fëmijë në moshë shkollore të kategorizuara si familje në gjakmarrje, ndërsa njësia e bashkëpunimit me drejtorinë e arsimit dhe drejtorinë e policisë kanë ofruar mundësinë e dhënies së mësimit në banesë. Ndërkaq, në bashkëpunim me Misionin e Pajtimit të gjaqeve, për të pestin vit radhazi Bashkia e Lezhës ka ofruar pako ushqimore në fund vit për rreth 30 familje të ngujuara.

/RTSH/