Gjatë 10 vitet e fundit, kodrat e Lushnjës janë mbushur me varietetet e reja ulliri, kryesisht për vaj. Shumë fermerë i kanë prerë drufrutorët e tjerë dhe në vend të tyre kanë mbjellë ullinj.
750 mijë rrënjë ullinj ka të mbjella vetëm Lushnja, nga të cilat 9500 rrënjë të reja janë mbjellë në 2024. Drejtoria Rajonale Bujqësore, shtimin e sipërfaqeve të tilla e lidh me faktin se vaji është produkt i sigurt për shitje, ndaj fermerët janë më të sigurt me ullishtat krahasuar me serrat perimore.
“Fermerët duke parë interesin tek vaji i ullirit sidomos vitet e fundit që vaji i ullirit ka rritje çmimi kanë filluar të përqendrohet tek mbjellja e ullirit duke shfrytëzuar kryesisht kodrat, duke zëvendësuar pemët frutore që janë shkulur nga vitet e kaluara por ka dhe mbjellje në fushë”, u shpreh Drejtor Rajonal i Bujqësisë, Ferdinant Shani.
Rritja e sipërfaqeve të mbjella me ullinj , nxiti hapjen e fabrikave të vajit. Ky biznes po rritet shpejt sa çdo sezon hapen fabrika të reja dhe moderne. 14 të tilla u hapen në Lushnjë gjatë 3 viteve të fundit dhe puna e tyre zgjat tre muaj.
Sasia më e madhe e vajit të ullirit konsumohet nga tregu vendas, një pjesë e vogël eksportohet, ndërsa pjesa tjetër dërgohet me bidonë plastikë familjarëve në emigrim. Çmimi i shitjes varion nga 600 deri në 700 lekë për një litër.
/RTSH/