Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kritikoi të shtunën qeverinë për trajtimin e pensionistëve, duke e cilësuar bonusin e paraqitur nga qeveria si “një propagandë të pastër zgjedhore”.
Nëpërmjet një video të postuar në rrjetet e saj sociale, Tabaku thekson se shpërblimi i fund- vitit i ofruar nga qeveria “nuk mund të mbulojë gjynahet e 11 viteve të neglizhencës dhe mungesës së respektit ndaj këtij grupi shoqëror”.
“Lëmoshë e vogël, propagandë e madhe! A mund të harrohet rënia reale e pensioneve dhe fuqisë blerëse të pensionistëve përmes një shpërblimi të vogël në fund- vit, vetëm sepse është periudhë zgjedhore?”, pyet Tabaku, duke nënvizuar se pensionistët shqiptarë përballen me pensionet më të ulëta në rajon dhe janë më të goditurit nga rritja e çmimeve.
Sipas saj, pensionistët shqiptarë shpenzojnë deri në 50% të të ardhurave për ushqime, ndërsa qeveria ka dështuar të ndërmarrë masa konkrete për të përmirësuar jetesën e tyre.
“Ekonomia shqiptare nuk punon për 95% të shqiptarëve, por për një pakicë që përfiton në kurriz të tyre,” thotë Tabaku në postimin e saj, duke akuzuar qeverinë për mos indeksimin e pensioneve në përputhje me rritjen e çmimeve dhe dështimin e reformës së pensioneve.
Tabaku shtoi se për të ndryshuar këtë realitet, duhet të mendohet për një sistem të ri që vendos dinjitetin dhe vlerësimin e punës së pensionistëve në qendër.
Ajo propozon që fondet e pensioneve të përdoren për të garantuar pensione të denja dhe jo për shpërblime të përkohshme dhe elektorale.
“Pensionistët nuk janë një grup për vota, por qytetarë që meritojnë respekt dhe shpërblimin më të lartë për kontributin e tyre në ndërtimin e Shqipërisë,” përfundon Tabaku.
/rtsh.al/