RTSH 24 Live

Botë

300 miliardë dollarë në vit për klimën - Shtetet e pasura ofrojnë mbështetje, por fondet nuk janë të mjaftueshme

6 orë para

300 miliardë dollarë në vit për klimën - Shtetet e pasura ofrojnë mbështetje, por fondet nuk janë të mjaftueshme

Shtetet e pasura që morën pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Klimën (COP29) janë pajtuar për të ndarë 300 miliardë dollarë në vit, për të financuar shtetet e varfra teksa përballen me efektin e ndryshimeve klimatike.

Marrëveshja parasheh që vendet e pasura duhet t’i ndajnë së bashku 300 miliardë dollarë për çdo vit deri më 2035, në krahasim me zotimin prej 100 miliardë dollarësh, të vitit 2020. Por, shtetet pranuese të fondeve e kanë kritikuar marrëveshjen, duke thënë se fondet janë të pamjaftueshme. Megjithatë, marrëveshja, e arritur pas konferencës dyjavore, që u mbajt në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit, është përshkruar një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të zvogëluar ritmin e ngrohjes globale.

Marrëveshja parasheh që konferenca e ardhshme e OKB-së të mbahet në Brazil, përgjatë së cilës vendet pjesëmarrëse do të përcaktojnë hapat që do të ndërmarrin në dekadën e ardhshme kur është fjala për çështje klimatike. Shumica e vendeve të botës po bëjnë përpjekje që të zbatojnë premtimin e bërë në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, që parasheh kufizimin e temperaturës globale të Tokës në 1.5 gradë Celsius, pasi çdo rritje më e madhe mund të rezultojë me pasoja katastrofale për natyrën.

Nëse nuk merren hapa për të ndryshuar situatën aktuale, shkencëtarët parashohin që temperatura globale do të arrijë në 3.1 gradë Celsius deri në fund të shekullit.

/rtsh.al/