Dhjetëra mijëra qytetarë në Barcelonë protestuan kundër rritjes së çmimeve të qirasë së banesave. Autoritetet thanë se në protestë morën pjesë rreth 22 mijë persona, por organizatorët thanë se nëpër rrugët e kryeqytetit të Katalonjës morën pjesë më shumë se 170 mijë qytetarë.
Protestuesit kërkuan një ulje prej 50% të qirave dhe për të bërë thirrje për një grevë nëse situata e strehimit nuk përmirësohet, ndërsa kërkuan edhe që banesat në zonat turistike të jenë të qasshme sërish për banorët e kryeqytetit verilindor të Spanjës.
Një kërkesë tjetër e tyre ka qenë që kontratat e qirave të nënshkruhen për periudhë të pakufizuar. “Është e papranueshme për ne që të shpenzojmë gjysmën e rrogës në qira, dhe të shpërngulemi secilën herë që na skadon kontrata”, ka thënë Carme Arcarazo, përfaqësuese e protestuesve.
Sipas mediave vendase situata është duke u bërë sa vjen e më e vështirë në tregun e Barcelonës, pasi shtëpitë e banimit po shfrytëzohen për turizëm, si dhe për shkak që të huajt po blejnë shumë prona në këtë qytet. Në muajt e fundit, protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në qytete e ishuj tjerë të Spanjës. Në disa prej tyre madje është kërkuar edhe që t’i jepet fund turizmit masiv.
/RTSH/