Presidenti rus Vladimir Putin ka prezantuar një ndryshim në Kodin e Familjes të Federatës Ruse, i cili ndalon birësimin dhe kujdestarinë e fëmijëve rusë nga persona që janë shtetas të vendeve ku lejohet ndryshimi i gjinisë ose ndryshime të informacionit gjinor në dokumentet personale.
Në ndryshimet e fundit përveç propagandës dhe promovimit të komunitetetit LGBT dhe “ ndryshimit të gjinisë”, tani do të ndalohet edhe propagandimi i refuzimit për të lindur fëmijë, për të cilën do të vendosen gjoba deri në 50 mijë dollarë. Ndalimi i birësimit do të zbatohet për të paktën 15 vende, shumica e tyre në Evropë dhe Australi, Argjentinë dhe Kanada, ndërsa birësimi i fëmijëve rusë nga qytetarët amerikanë u ndalua që në vitin 2012.
Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë në vitet e fundit kanë bërë gjithnjë e më shumë thirrje për respektimin e të ashtuquajturave vlera tradicionale si kundërvënie ndaj liberalizmit perëndimor. Ndërsa popullsia e Rusisë zvogëlohet, Putini ka bërë deklarata duke mbrojtur familjet e mëdha dhe vitin e kaluar u ka kërkuar grave që të kenë deri në tetë fëmijë. Rusia vitin e kaluar ndaloi procedurat mjekësore të tranzicionit gjinor dhe Gjykata e saj e Lartë e shpalli "lëvizjen" LGBTQ+ si ekstremiste.
Në vitin 2022, Putin nënshkroi një ligj që ndalon shpërndarjen e informacionit LGBTQ+ për njerëzit e të gjitha moshave, duke zgjeruar një ndalim të lëshuar në 2013 për shpërndarjen e materialit tek të miturit. Që kur dërgoi trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, udhëheqësi i Kremlinit e ka karakterizuar vazhdimisht Perëndimin si "satanik" dhe e ka akuzuar atë se po përpiqet të minojë Rusinë duke eksportuar ideologji liberale.
/RTSH/