RTSH 24 Live

Politikë

Ndalimi i Fredi Bejlerit, Rama: Me urdhër të prokurorisë, sprovë e madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve

12/05/2023

Ndalimi i Fredi Bejlerit, Rama: Me urdhër të prokurorisë, sprovë e madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me shoqërimin në Polici të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri, duke e konsideruar një sprovë “të madhe” për drejtësinë vetëm 2 ditë para zgjedhjeve.

Në një postim në Twitter, Rama shkruan se shoqërimi i tij u bë me urdhër të prokurorisë dhe si rrjedhojë, sipas kryeministrit, shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij “ligjërisht i motivuar”.

Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Bejleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar”, tha Rama.

Kreu i qeverisë ka kërkuar që të mos dilet në përfundime “të nxituara politike”, por të priten provat e drejtësisë.

Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”, shkruan Rama.

Beleri, së bashku me avokatin e tij dhe dy anëtarëve të stafit, janë shoqëruar pak pas mesnate nga Policia, në Komisariatin e Vlorës. Beleri ka qenë në ambientet e restorantit të tij, në momentin që është rrethuar nga policia, ngjarje e cila vjen dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Nuk dihen ende arsyet e shoqërimit, ndërsa në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, i cili e ka konsideruar shoqërimin e Bejlerit si një ngjarje të paprecedentë dhe me urdhër të Kryeministrit Edi Rama.

/rtsh.al/