RTSH 24 Live

Politikë

Shoqërohet në Polici kandidati i "Bashkë Fitojmë" për Himarën! Dule: Akt i paprecedentë, të lirohet menjëherë

12/05/2023

Shoqërohet në Polici kandidati i "Bashkë Fitojmë" për Himarën! Dule: Akt i paprecedentë, të lirohet menjëherë

Kandidati i Bashkë Fitojmë për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, së bashku me avokatin e tij dhe dy anëtarë të stafit, janë shoqëruar pak pas mesnate (12.05.2023) në Komisariatin e Vlorës.

Beleri ka qenë në ambientet e restorantit të tij, në momentin që është rrethuar nga policia, e cila ka bërë shoqërimin e tij, të avokatit dhe 2 anëtarëve të stafit për në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Vlorës, ngjarje e cila vjen dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Procedimi penal

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, deklaroi se shoqërimi i tij është bërë për një procedim penal të prokurorisë së Vlorës, por u rezervua të japë më shumë detaje.

“Ajo që mund t’ju them se është shoqëruar në Policinë Vlorë, nën drejtim e prokurorisë së Vlorës ka pasur një procedim në ndjekje për këtë do të ketë  një njoftim” tha Jaupi paraditen e sotme, i pyetur nga gazetarët kur doli për të prezantuar planin e masave të policisë në kuadër të 14 majit.

Reagon PBDNJ

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, i cili e ka konsideruar shoqërimin e Bejlerit si një ngjarje të paprecedentë dhe me urdhër të Kryeministrit Edi Rama.

Sipas Dules, Rama kërkon të intimidojë qytetarët dhe të tjetërsojë vullnetin e sovranit, pasi sipas kreut të PBDNJ-së, Kryeministri e di se fitoja e “Bashkë Fitojmë” në Himarë është e garantuar.

Pak pas mesnate, pas një jave deliriumi, gjuhë urrejtjeje, përçarjeje dhe stigmatizmim nga ana e Kryeministrit Rama kundër kandidatit të Bashkë Fitojmë në Himarë, z. Bejleri me urdhër dhe porosi të tij, forca policore me tërë kuptimin e fjalës rrëmbyen në qendër të qytetit dhe shoqëruar për në komisariatin e Vlorës z. Bejleri dhe avokatin e tij të cilët sapo kishin dalë nga një darkë. Është një akt i paprecedentë dhe i pashpjegueshëm nga çdo këndvështrim dhe optikë demokratike. Fenomen që ka lidhje me regjimet totalitare”, tha Dule, teksa ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Bejlerit.

Ai u është drejtuar përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar që të monitorojnë çdo moment qendrat e votimit dhe KZAZ e bashkisë Himarë, në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë transparent.

"Thirrja jonë është lirimi i menjëhershëm i z.Bejleri, garantimi i procesit zgjedhor, i votës së qytetarëve dhe heqja dorë njëherë e mirë nga Z.Rama nga intimidimi i qytetarëve dhe nga përpjekja për të tjetërsuar vullnetin e sovranit. Kemi paralajmëruar si PBDNJ në deklaratën e pardjeshme dhe dëshirojmë përsëri dhe sot t’u drejtohemi mediave të jenë të pranishme me qëllim që të kemi një proces transparent, një proces që do respektojnë vullnetin e sovranit. U drejtohemi përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar për monitorim të gjithëditshëm të KZAZ bashkisë Himarë dhe qendrave të votimit, sepse vetëm kështu do u priten shanset kryeministri Rama i cili ka vënë objektiv të tij strategjik në shërbim të interesave të tij klienteliste.

Të garantohet procesi dhe shmangia me çdo kush i manipulimit të tentuar nga z. Rama. Beleri të lirohet menjëherë dhe ti lejohet të ushtrojë si çdo qytetar pa probleme me ligjin, të vazhdojë aktivitetin e tij dhe të kurorëzojë fitoren që është e dukshme”, u shpreh Dule.

Ky i fundit ka shprehur neverinë për shoqërimin e Belerit nga policia, teksa theksoi se çdo aktivitet do të zhvillohet normalisht deri në përmbyllje të fushatës zgjedhore.

“Shprehim neverinë për aktet të tilla policore në kulmin e fushatës zgjedhore pa artikulime të qarta ligjore. Shprehim me forcë dënimin dhe gjakftohtësinë për ti shkuar deri në fund procesit zgjedhor dhe për të garantuar fitore. Çdo aktivitet deri në përmbylljen e fushatës do zhvillohen normalisht”, theksoi ai.

/rtsh.al/