Policia e Vlorës ka dalë në një deklaratë për shtyp lidhur me arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Himarë, Fredi Beleri.
Polica bën me dije se ka qenë prokuroria ajo që ka dhënë urdhër për nisjen e hetimeve ndaj tyre pas informative të marra për kryerjen e krimeve zgjedhore të shitblerjes së votës.
Procedimi për nisjen e hetimeve është bërë që më 8 maj 2023, në kuadër të veprës penale “Korrupsion aktiv në Zgjedhje”
“Aktet e administruara deri më tani në funksion të hetimit për këtë procedim penal, nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, informacione në lidhje me disa shtetas të dyshuar të përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të shit-blerjes së votës, për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023, në qytetin e Himarës dhe në fshatrat që janë pjesë e bashkisë Himarë, duke iu ofruar qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurrues”, tha policia.
Në pranga në kuadër të operacionit të koduar “Matrix” përfundoi “51-vjeçari Fredi Beleri alias Dhionisios Beleri dhe 44-vjeçari Pano Kokoveshi, si dhe u sekuestruan 40 mijë lekë në cilësinë e provës materiale”, njofton policia Vlorë.
Lidhur me rastin vijojnë hetimet, ndërsa policia Vlorë nuk ka komentuar më tej rastin duke mos dhënë më shumë informacion.
Arrestimi i Belerit ka shkaktuar gjatë ditës reagime politike në Shqipëri dhe në Greqi. Kryeministri Edi Rama e quajti sprovë të madhe.
''Ndalimi i Belerit me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar'', shkruan Rama.
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis e konsideroi ngjarje “jashtëzakonisht të pakëndshme” . Ndërsa ministri i Jashtëm Niko Dendias theksoi se qeveria greke do ta monitorojë nga afër këtë çështje.
/rtsh.al/