RTSH 24 Live

Politikë

Arrestimi i Belerit, Xhaçka i përgjigjet Greqisë: Rasti i takon drejtësisë, shmangni mesazhet përçarëse

12/05/2023

Arrestimi i Belerit, Xhaçka i përgjigjet Greqisë: Rasti i takon drejtësisë, shmangni mesazhet përçarëse

Ministria e Jashtme ka reaguar për rastin e arrestimit të Fredi Belerit, ku thekson se ai është i barabartë përpara ligjit si të gjithë të tjerët dhe se për të do të flasë prokuroria në bazë të provave.

Ministrja e jashtme Olta Xhaçka tha se shitblerja e votës është shkelje e rëndë e ligjit dhe se Fredi Beleri nuk kërkon ndonjë trajtim të veçantë para ligjit.

“Blerja e votës është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit kanë prioritet luftimin e saj gjatë kohës së zgjedhjeve. Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përfshirë vëllezërit dhe motrat e minoritetit grek që marrin pjesë në zgjedhjet tona.

Kandidatura e shtetasit shqiptar Alfred Beleri që kandidon për zgjedhje nga bashkëqytetarët e tij, nuk kërkon ndonjë trajtim të veçantë. Ai është i barabartë para ligjit si kushdo tjetër. I takon vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me provat”, tha ministrja.

Lidhur me reagimet e Greqisë për ngjarjen, Xhaçka tha se duhet të shmangen mesazhet përçarëse pasi fjalën e ka drejtësia  

“Me respekt, u kërkojmë miqve tanë grekë në Athinë që të monitorojnë nga afër e me durim zhvillimin e çështjes, duke lejuar drejtësinë shqiptare të kryejë punën e saj, pa presione të jashtme apo mesazhe përçarëse. Është mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve”, tha Xhaçka

Një përgjigje Xhaçka e ka pasur edhe për deklaratën e homologut të saj grek, ku tha se për ngjarjen ka informuar dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Joseph Borrell si dhe ministrin e Jashtëm suedez

“Është mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve”, tha Xhaçka.

/rtsh.al/