RTSH 24 Live

Kosovë

Kosova voton, KQZ: Pjesëmarrja mbi 40%, procesi u zhvillua pa probleme

09/02/2025

Kosova voton, KQZ: Pjesëmarrja mbi 40%, procesi u zhvillua pa probleme

Kosova mbajti të dielën zgjedhjet e përgjithshme për parlamentin dhe qeverinë që do i drejtojë qytetarët për 4 vitet e ardhshme.

Këto janë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare - që vendi nuk shkon në procese zgjedhore të parakohshme ose të jashtëzakonshme - që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Qendrat e votimit u hapën të gjitha në orën 07:00 dhe u mbyllën në orën 19:00.

Rreth 100 mijë të rinj dhe të reja votuan për herë të parë sivjet. Numri total i votuesve është 2.075.868, përfshirë 1.970.944 votues brenda Kosovës dhe 104.924 jashtë saj. Lidhur me votimet e diasporës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se nga 20.324 qytetarë me të drejtë vote, 15.552 prej tyre votuan, duke shënuar një pjesëmarrje prej 73.56%.

Deri në orën 19:00, sipas rezultateve paraprake të KQZ-së nga përpunimi i 90 për qind të vendvotimeve, pjesëmarrja në votime e kaloi shifrën 40% ose 786.462 votues morën pjesë në procesi zgjedhor nga 1.970.944 që e kishin këtë të drejtë.

Ndërkaq, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, shpjegoi se deri në orën 16:30, në zgjedhje votuan 28.32% e qytetarëve me të drejtë vote apo 558,246 qytetarë nga 1,970,944 votues të regjistruar. Sipas tij, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja deri në orën 15:00 ishte 32.32%, që përkon me 567,934 votues.

Deri në orën 15 kanë votuar 28. 32 për dina po 558 mijë e 246 votues nga 1,970,944. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e kaluara të vitit 2021 kishin Votuar 32.32 për qind, apo 567 mijë e 934votues”, ka thënë Radoniqi.

Në këtë garë për përbërjen e re të Kuvendit, morën pjesë 28 subjekte politike, përfshirë 20 parti politike, 5 koalicione, 2 lista qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Votuesit kishin mundësinë të zgjedhin një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, me 120 ulëse që do të formojnë Kuvendin e Kosovës. 

Kandidatët kryesorë për kryeministër janë Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Zgjedhjet janë monitoruar nga mbi 100 vëzhgues ndërkombëtarë dhe do të sigurohen nga forcat e sigurisë, përfshirë më shumë se 200 ushtarë italianë të KFOR-it dhe mijëra policë të Kosovës. 

KQZ: Pjesëmarrja 17,36% deri në orën 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar të dhënat për pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 15:00, ku dalja në zgjedhje ka arritur në 17.36 %. Nga gjithsej 1.970.944 votues të regjistruar, 342.104 prej tyre kanë votuar deri në orën 15:00.

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë: Qytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Aivo Orav i ka bërë thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e votës. Thirrjen ai e ka bërë teksa ka vizituar një vendvotim në Vushtrri.

“BE-ja ka vendosur misionin për të vëzhguar të gjitha aspektet e këtij procesi. Qytetarët e Kosovës duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës dhe të shprehin lirisht zgjedhjen e tyre”, ka shkruar ai në X’.

KQZ: Votuan mbi 73% e diasporës

Të gjitha selitë fizike të ngritura në përfaqësitë e ambasadave dhe konsullatave të Kosovës në botë kanë përmbyllur procesin e votimit. Të fundit që përmbyllën procesin e votimit ishin Ambasada e Kosovës në Washington dhe Konsullata e Kosovës në New York. Votimi në këto përfaqësi diplomatike u zhvillua një ditë para datës së zgjedhjeve të 9 shkurtit, për shkak të ndryshimeve në orën lokale në SHBA, procesi i votimit u hap dje dhe mbyll sipas orarit të përshtatur ditën e sotme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se nga 20.324 qytetarë me të drejtë vote, 15.552 prej tyre votuan, duke shënuar një pjesëmarrje prej 73.56%. Në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, procesi i votimit u zhvillua në 32 konsullata dhe ambasada të ndryshme në mbarë botën. Konsullata e Kosovës në Mynih ishte vendi me pjesëmarrjen më të lartë, ku votuan 1.521 qytetarë, pasuar nga Konsullata e Kosovës në Duzeldorf, ku votuan 1.560 qytetarë. Konsullata e Kosovës në Cyrih ka regjistruar gjithashtu 1.470 votues.

Bashkatdhetarët e Kosovës patën mundësinë të votojnë në 43 vendvotime të hapura në ambasada dhe konsullata të Kosovës në mbarë botën, duke kontribuar në procesin zgjedhor për zgjedhjen e qeverisë së ardhshme.

Osmani: Qytetarët të kontribuojnë në forcimin e demokracisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka votuar në Prishtinë dhe ka theksuar rëndësinë e ditës së sotme për vendin.

Pas hedhjes së votës, Osmani theksoi se Kosova është një nga demokracitë më të zhvilluara në rajon dhe se është e rëndësishme që ky proces të vazhdojë të zhvillohet. Ajo i ftoi qytetarët të kontribuojnë në forcimin e demokracisë duke marrë pjesë në zgjedhje, të cilat do të ndikojnë në formimin e parlamentit të ardhshëm dhe institucioneve të tjera të vendit.

“Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajonin tonë, duhet ta mbajë të tillë dhe duhet ta zhvillojmë edhe më tej, dhe sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të japin kontribut në këtë drejtim, duke marrë pjesë në procesin më të rëndësishëm nga i cili determinohet parlamenti i ardhshëm, pastaj edhe institucionet e tjera, por edhe merren vendime të cilat kanë rëndësi për kualitetin e jetës së tyre dhe të gjithë vendin tonë”, tha Osmani.

Votimi deri në orën 11:00, KQZ: Pjesëmarrja 8.6 %, procesi pa probleme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar të dhënat e para për pjesëmarrjen në zgjedhje, duke njoftuar se deri në orën 11:00, dalja në zgjedhje ka arritur në 8.6%. Nga gjithsej 1.970.944 votues të regjistruar, 169.435 prej tyre kanë votuar në katër orët e para të procesit zgjedhor.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjatë një konference për media, ka siguruar qytetarët dhe opinionin publik se procesi zgjedhor po zhvillohet pa probleme dhe po shkon sipas planit. Ai theksoi se nuk ka pasur ndonjë incident të rëndësishëm dhe se procesi i votimit është duke u zhvilluar normalisht.

Krasniqi: Dita e sotme e rëndësishme për demokracinë e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka votuar në shkollën fillore "Hasan Prishtina", duke e cilësuar 9 shkurtin si një ditë të rëndësishme për qytetarët dhe demokracinë e Kosovës.

Krasniqi theksoi se kjo ditë është e veçantë për vendin dhe ka rëndësi të madhe për të ardhmen e qytetarëve, duke dhënë mundësinë për një jetë më të dinjitetshme.

“Sot është një ditë e mirë, një ditë e madhe, një ditë tepër e rëndësishme për vendin tonë, për qytetarët tanë për demokracinë e Kosovës, me besimin e plotë për të ardhmen e qytetarëve tanë për mundësinë dhe potencialin për të pasur një jetë më të dinjitetshme për të gjithë. Besoj se kjo ditë duhet të shfrytëzohet nga secili qytetar që ka të drejtë vote dhe përmes ushtrimit të kësaj të drejte ta japin verdiktin se nga dëshirojnë ta drejtojnë vendin në katër vitet e ardhshme”, theksoi Krasniqi.

Voton Fatmir Limaj: Sot, ditë e rëndësishme për demokracinë e Kosovës

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë kosovare, pas hedhjes së votës së tij në Prishtinë.

Limaj ka theksuar se ky është një moment i veçantë për vendin, duke shtuar se Kosova ka një demokraci funksionale ku qytetarët mund të votojnë lirshëm dhe ku respektohen rregullat dhe ligjet. Ai i bëri thirrje qytetarëve të vendosin për të mirën e vendit, duke i dhënë drejtim Kosovës në këtë proces të rëndësishëm.

“Jemi krenar që kemi një demokraci funksionale, një demokraci ku respektohen rregullat dhe ligji, një demokraci ku qytetari i Republikës lirshëm voton. Sot qytetarët e Republikës së Kosovës do t’i japin drejtim Kosovës. Shpresoj që secili nga ne do të vendosë për të mirën e Kosovës”, tha Limaj.

Voton kreu i LDK, Lumir Abdixhiku: Qytetarët të votojnë për fatin e Kosovës

Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës i cili është dhe kandidat për kryeministër ka hedhur votën e tij për zgjedhjen e parlamentare. Në një prononcim për mediat, pas votimit, Abdixhiku  i bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votime për të vendosur për fatin e tyre dhe të Kosovës. 

“Në këtë ditë të demokracisë i ftoj të gjithë qytetarët që të marrin pjesë masivisht në vendosjen e fatit të tyre dhe të Republikës së Kosovës, për katër vitet e ardhshme. Njëkohësisht i uroj gjithë votuesit që për herë të parë japin votën për të ardhmen e Republikës. Është ditë feste për ne, për popullin e Kosovës. Zgjedhjet gjithmonë janë festë dhe në këtë ditë i trajtojmë si të tilla, dhe le të shpresojmë e le të angazhohemi për një ditë demokratike ku vullneti qytetar merr epilog të mbarë e të mirë”, tha Abdixhiku.

Vuçiq thirrje serbëve në Kosovë: Votoni për Listën Serbe

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë thirrje për serbët në Kosovë të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare që po zhvillohen në vend dhe të votojnë për Listën Serbe. Sipas Vuçiq, pjesëmarrja e serbëve në votime dhe zgjedhja e përfaqësuesve të tyre në Kuvend është mënyra e vetme për të siguruar që "serbët nuk do të dëbohen nga Kosova".

"Po shfrytëzoj rastin t'u bëj thirrje të gjithë serbëve në Kosovë që të votojnë, që të mos jetë e vështirë për ta. Që të mos jetë e vështirë për ata që kanë nevojë për një ditë pushimi për të shkuar në shtëpitë e tyre për të votuar. Dhe për të votuar për Listën Serbe, sepse Lista Serbe është garancia e vetme që Kurti nuk do t'i dëbojë serbët nga Kosova. Lista Serbe është e vetmja listë që dëshiron të luftojë për interesat e popullit serb dhe që Kurti në asnjë mënyrë nuk mund të japë ryshfet,” tha Vuçiq.

Thirrja e presidentit serb ka pasur për qëllim nxitjen e serbëve në Kosovë për të marrë pjesë aktivisht në procesin zgjedhor, duke e parë atë si një mundësi për të mbrojtur interesat e tyre në një periudhë të pasigurisë politike.

Kurti voton në Prishtinë: Qytetarët të përdorin votën e lirë që zëri i tyre të dëgjohet

Kryeministri aktual Albin Kurti, i cili garon për një mandat të dytë në krye të qeverisë, ka votuar në Prishtinë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të Kosovës. Pas ushtrimit të të drejtës së tij të votës, Kurti theksoi rëndësinë historike të këtyre zgjedhjeve, si zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në shtetin e pavarur të Kosovës.

Ai falënderoi qytetarët që kanë votuar deri tani dhe inkurajoi të tjerët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

“Këto janë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në shtetin e pavarur të Kosovës. Falenderoj çdo qytetar që ka votuar deri më tani dhe inkurajoj çdo njeri që të votojë dhe të ushtrojë të drejtën e votimit që zëri i tyre të dëgjohet. Përdorini votën e lirë për të vendosur për 4 vitet e ardhshme”, tha Kurti.

Kurti nënvizoi rëndësinë e angazhimit të qytetarëve për të formuar qeverinë e ardhshme dhe për të dhënë zërin e tyre në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën.

Bedri Hamza voton në Mitrovicë: Sot vendos sovrani

Bedri Hamza, kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka votuar sot në Mitrovicë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të Kosovës. Pas votimit, Hamza bëri thirrje për një pjesëmarrje masive dhe demokratike në procesin zgjedhor, duke i inkurajuar qytetarët të votojnë për të ardhmen e vendit.

“Qytetarët të votojnë në mënyrë demokratike dhe të zgjedhin qeverinë e ardhshme. Uroj që gjithçka të shkojë mirë dhe në fund sovrani vendos. Unë jam optimist. Nuk kam asnjë informacion që ka pasur parregullsi,” tha Hamza, duke shprehur besimin e tij në integritetin e procesit zgjedhor dhe duke theksuar rëndësinë e vendimmarrjes nga qytetarët.

Hamza shprehu besim se zgjedhjet do të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe se qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre në këtë proces të rëndësishëm.

Ndalohen 5 persona për cenim të votës në Mitrovicë

Pesë persona janë ndaluar në Mitrovicë për veprën penale “cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se “Në rastin e parë ka ndaluar katër persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Haradinaj voton në Prishtinë: Kosova ka nevojë për votën e qytetarëve

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët, Ramush Haradinaj, ka votuar në orën 9:00 të mëngjesit në shkollën e mesme "Ali Sokoli" në Prishtinë, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të Kosovës.

Haradinaj bëri thirrje të gjithë qytetarëve të dalin në votime, duke theksuar se vota e tyre ka vlerë vetëm në kuti.

“Ju uroj punë të mbarë atyre që janë të angazhuar me procesin zgjedhor që ka filluar mirë. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të dalin në votime dhe vota e tyre ka vlerë vetëm në kuti. Kosova ka nevojë për votën e qytetarëve,” tha Haradinaj pas votimit.

Ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare për të formuar një të ardhme më të mirë për Kosovën.

KQZ: Në të gjitha qendrat e votimit ka nisur procesi zgjedhor

Procesi zgjedhor ka nisur sot në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, gjatë një konference për media njoftoi se i gjithë materiali zgjedhor është shpërndarë në kohë dhe se procesi i votimit ka filluar pa probleme.

Elezi bëri thirrje për qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke theksuar se më shumë se 1.9 milion qytetarë kanë të drejtë vote në këtë proces zgjedhor. Ai gjithashtu iu kujtoi qytetarëve se mund të identifikohen në qendrat e votimit edhe me letërnjoftim me afat të skaduar, sipas një vendimi të KQZ-së.

Nis votimi në Mitrovicën e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe

Në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, qytetarët kanë nisur votimin për zgjedhjet parlamentare.

Qytetarëve iu bashkua edhe kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i cili votoi në shkollën "Sveti Sava".

Kjo është hera e parë që qytetarët në veri u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë u tërhoq nga institucionet e Kosovës.

Kreu i KQZ, Radoniqi thirrje për votim të qetë dhe demokratik

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka votuar sot në qendrën e votimit në shkollën fillore "Lidhja e Prizrenit" në Pejë. Pas votimit, ai bëri thirrje për një proces të qetë dhe demokratik, duke inkurajuar të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të dalin për të votuar për përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Radoniqi theksoi rëndësinë e një procesi zgjedhor të drejtë dhe transparent, ndërsa bëri apel që të gjithë qytetarët të angazhohen në mënyrë aktive për të garantuar një zgjedhje të ndershme dhe pa probleme.

“Ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote të votojnë për përfaqësuesit e tyre. Ftoj të gjithë qytetarët dhe aktorët që në këtë ditë zgjedhore të respektojnë ligjet dhe rregullat zgjedhore për një proces zgjedhor të qetë e demokratik”, tha ai.

Megjithatë, ai ka pranuar se vëzhguesit nga Kroacia nuk kanë qenë të pranishëm në këtë proces, duke theksuar se kjo do të thotë që nuk janë respektuar të gjitha procedurat që kërkohen për një mbikëqyrje të plotë të zgjedhjeve. Radoniqi shtoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vazhdojë të monitorojë procesin dhe të sigurojë që çdo votë të numërohet në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.

/rtsh.al/