Të gjithë qytetarët nga Kosovës që jetojnë në Gjermani, por gabimisht sistemi i ka regjistruar si shtetas të Serbisë, tashmë mund ta ndryshojnë këtë status. Lajmi është bërë me dije nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti. Përmes një postimi në facebook, Ajeti sqaron se të gjithë personat që janë regjistruar gabimisht, duhet t’i drejtohen organeve kompetente gjermane dhe të kërkojnë ndryshimin e shtetësisë.
“Më shumë se 17 vjet, qindra e mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës janë regjistruar me automatizëm në komunat e ndryshme, në mënyrë të padrejtë dhe të gabuar dhe si shtetas të Serbisë. Tani e kam kënaqësinë e veçantë që se si rezultat i punës sonë, ky problem i pazgjidhur dhe i trashëguar do të marrë fund. Në vazhdën e përpjekjeve tona të pandërprera dhe komunikimeve të shumta me institucionet gjermane, përkatësisht me kancelarin federale, ministrinë Federale të Punëve të Jashtme, ministrinë Federale të Punëve të Brendshme dhe ministrinë Federale të Drejtësisë, kemi kërkuar që shtetasit e Kosovës të regjistrohen vetëm si shtetas të saj dhe assesi të mos evidentohen edhe si shtetas serbë.
Jo vetëm 16 lëndë gjermane, por edhe mbi 5 mijë e 200 qendra të regjistrimit civil në krejt Gjermaninë e kanë pranuar tashmë një qarkore nga ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë ku janë njoftuar për këtë ndryshim të rëndësishëm për shtetasit e Kosovës. Ata tash e tutje do të regjistrohen vetëm si shtetas të Kosovës. U bëjmë thirrje qytetarëve me vendbanim në Gjermani dhe që janë të prekur nga ky fenomen, t’u drejtohen organeve kompetente gjermane për të bërë korrigjimin e dokumentacionit. Duhet të kërkoni që në kategorinë e shtetësisë të largohet një herë e përgjithmonë shtetësia e Serbisë”, ka thënë ambasadori.
Pas përfundimit të luftës, shumë kosovarë në Gjermani u regjistruan gabimisht si shtetas të Serbisë. Kjo për shkak të periudhës kur Kosova ishte nën administrimin e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) dhe autoritetet gjermane vazhduan t’i regjistrojnë kosovarët si shtetas serbë, duke mos e përditësuar statusin e pavarur të Kosovës.
/rtsh.al/