RTSH 24 Live

Kosovë

Abdixhiku: S'ka koalicion me Vetëvendosjen pa pozitën e kryeministrit

18 orë para

Abdixhiku: S'ka koalicion me Vetëvendosjen pa pozitën e kryeministrit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është shprehur se LDK-ja s’do të shkojë në koalicion me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta [VV-në]. Ky ishte qëndrimi ynë paraelektoral dhe mbetet i njëjtë,” u shpreh kreu i LDK-së.

Megjithatë, z. Abdixhiku ka përjashtuar edhe mundësinë e koalicionit me partitë e tjera opozitare nëse LDK-së nuk i ofrohet posti i kryeministrit. "Vendit i duhet stabilitet, qeveri e Kosovës dhe parlament," tha drejtuesi i LDK-së.

Ai theksoi se i takon tani Lëvizjes Vetëvendosje të tentojë të formojë Qeverinë, si fituese e zgjedhjeve, e vetëm nëse kjo parti dështon të sigurojë votat, atëherë mund të shikohen opsione të tjera.

Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit me 42.27 për qind të votave të fituara apo 48 ulëse në Kuvendin me 120 vende. Kjo nënkupton se kjo parti nuk mund ta formojë e vetme ekzekutivin e ri, për të cilin duhen 61 deputetë.

Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i bindur se qeveria e ardhshme e Kosovës do të udhëhiqet nga ai dhe nga LVV-ja.

Pas LVV-së, në zgjedhjet e 9 shkurtit, më së shumti vota fitoi Partia Demokratike të Kosovës (PDK) e pastaj LDK-ja. Mandat kanë siguruar edhe deputetë nga koalicioni parazgjedhor midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA.

Nga të gjitha këto parti opozitare, “vija të kuqe” për koalicion të mundshëm me LVV-në nuk ka vendosur vetëm Fatmir Limaj, kreu i Nismës.

Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidenti i vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë presidentja Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese, LVV-ja në këtë rast, që të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.

LDK-ja mori rreth 17 për qind të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, një ngritje prej rreth 5 për qind në krahasim me zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2021. Sipas parashikimeve, LDK-së do t'i takojnë 20 ulëse në Kuvendin e ardhshëm.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/