RTSH 24 Live

Kosovë

Pas Sarajevës, Rutte viziton sot Kosovën, takime me Osmanin e Kurtin

19 orë para

Pas Sarajevës, Rutte viziton sot Kosovën, takime me Osmanin e Kurtin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte do të zhvillojë këtë të martë (11 mars) vizitën zyrtare në Kosovë. Rutte shoqërohet në këtë takim nga zëvendësja e tij, Radmila Shekerinska dhe ambasadorët e Këshillit të Atlantikut të Veriut.

Gjatë kësaj vizite, Rutte do të zhvillojë takime të ndara me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti. Në fokus të bisedimeve do të jetë riafirmimi i përkushtimit të NATO-s ndaj sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit në rajon.

Pas bisedimeve me Osmanin e Kurtin, sekretari i Përgjithshëm i NATO do të takohet gjithashtu edhe me përfaqësuesit e trupave ndërkombëtarë në Kosovë.

Pak ditë më parë Rutte deklaroi se stabiliteti në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë dhe Serbi është në interesin e NATO-s dhe aleatëve të saj.

Në kuadër të vizitës zyrtare të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Kosovë, policia ka marrë masa me qëllim  garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke ndërprerë përkohësisht qarkullimin e automjeteve në rrugët ku do të kalojë eskorta që do të shoqërojë Rutten.

Po ashtu, në afërsi të institucioneve shtetërore, sikurse janë Kryeministria dhe Presidenca, do të bëhet devijim i automjeteve në intervale të shkurtra kohore.

 “Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Para udhëtimit drejt Kosovës, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, vizitoi Sarajevën nga ku dha mesazhe të rëndësishme mbi sigurinë e vendit. Rutte theksoi se NATO-ja nuk do të lejonte vakume sigurie dhe se vendi nuk do i rikthehej më luftërave të përgjakshme ndëretnike të ndodhura në vitet 1992 në Bosnjë.

/rtsh.al/