RTSH 24 Live

Rajon

Rriten tensionet në Bosnjë, Rutte: Nuk jemi në 1992, NATO s’do lejojë asnjë vakuum sigurie

10/03/2025

Rriten tensionet në Bosnjë, Rutte: Nuk jemi në 1992, NATO s’do lejojë asnjë vakuum sigurie

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të hënën se Aleanca mbështet plotësisht integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës dhe u ka kërkuar liderëve politikë të zgjidhin tensionet e nxitura, pasi gjykata shtetërore dënoi me burg presidentin e rajonit serb të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik.

Rutte tha se NATO-ja nuk do të lejojë vakuum sigurie dhe se vendi nuk do i rikthehet më luftërave të përgjakshme ndëretnike të ndodhura në vitet 1992 në Bosnjë.

"Çdo aktivitet që minon rendin kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës është i papranueshëm, retorika nxitëse është e rrezikshme. U takon liderëve politikë të marrin përgjegjësinë, ju duhet ta bëni. Ky ishte mesazhi im kryesor. Ky nuk është viti 1992 dhe NATO nuk do të lejojë një vakum sigurie në Bosnje dhe Hercegovinë. Ne nuk do të lejojmë që paqja e fituar me vështirësi të rrezikohet", tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë vizitës së tij në Bosnjë-Hercegovinë.

Vizita e zotit Rutte vjen vetëm disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Bosnjës hodhi poshtë legjislacionin e nënshkruar nga Dodik që refuzonte autoritetin e policisë federale dhe gjyqësorit brenda Republikës Srpska.

Tensionet politike janë rritur që kur Milorad Dodik, presidenti i Republikës Sërpska, u dënua muajin e kaluar për kundërvënien ndaj Christian Schmidt, përfaqësuesit të lartë të ngarkuar për mbikëqyrjen e marrëveshjeve të paqes në Bosnjë.

Në përgjigje të tensioneve në rritje, Forca e Bashkimit Evropian (EUFOR) në Bosnjë-Hercegovinë javën e kaluar tha se do të "rriste përkohësisht" numrin e misionit të saj paqeruajtës në vend. Për vite me radhë, NATO ka ndihmuar në sigurimin e sigurisë së Bosnjës, pas ndërhyrjes së aleancës në luftën e saj gjatë viteve 1990, e cila ndihmoi në përfundimin e konfliktit që u mori jetën rreth 100 mijë personave.

/rtsh.al/