RTSH 24 Live

Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO viziton Sarajevën, të martën në Kosovë

10/03/2025

Sekretari i Përgjithshëm i NATO viziton Sarajevën, të martën në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, nis sot vizitat e para në Ballkan që prej marrjes së detyrës në muajin tetor 2024, me dy ndalesa në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë.

Gjatë vizitës në Prishtinë, z. Rutte pritet të shoqërohet nga zëvendësja e tij, Radmila Shekerinska dhe ambasadorët e Këshillit të Atlantikut të Veriut. Ai pritet të takojë edhe krerët më të lartë të shtetit, si presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Vizitat në rajon kanë për qëllim të tregojnë përkushtimin e palëkundur të NATO-s ndaj sigurisë dhe stabilitetit të këtyre vendeve.

Bosnjë-Hercegovina po kalon një krizë politike pas dënimit të presidentit Milorad Dodik, kreu i entitetit serb të vendit, Republikës Sërpska. Ai u shpall fajtor me 1 vit burg për kundërvënien ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të Komunitetit Ndërkombëtar, duke limituar njëanshmërisht operacionet e Prokurorit të Shtetit, Agjencisë për Hetimet dhe Mbrojtjen, dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Hetimor në Republikën Sërpska.

Para largimit për në Prishtinë, z. Rutte do të takohet me studentët e Universitetit të Sarajevës.

I pyetur nga mediet për situatën aktuale në Bosnjë-Hercegovinë, NATO-ja u përgjigj se vizita e kryesekretarit Rutte më 10 mars tregon përkushtimin e Aleancës "ndaj Bosnjë-Hercegovinës, stabilitetit rajonal dhe Marrëveshjes së Dejtonit. Ne e mbështesim fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit. Stabiliteti dhe siguria në Bosnjë-Hercegovinë dhe një Ballkan Perëndimor paqësor janë në interesin tonë strategjik. Ne nuk do të lejojmë krijimin e një vakuumi sigurie dhe nuk do të lejojmë të kërcënohet paqja e fituar me shumë mundim," u shpreh zyra e shtypit e NATO-s për "Al Jazeera". /RTK, AJ

/rtsh.al/