RTSH 24 Live

Kosovë

Marrëdhëniet Kosovë-Serbi, Rutte: Duhet zgjidhje politike. Osmani: Koha që ta kemi vendin në NATO

16 orë para

Marrëdhëniet Kosovë-Serbi, Rutte: Duhet zgjidhje politike. Osmani: Koha që ta kemi vendin në NATO

Zgjidhje përmes diplomacisë të problemeve që vijojnë të ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë ka kërkuar sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidenten Vjosa Osmani.

Rutte, i cili vizitoi Kosovën pasi një ditë më parë ishte në Bosnjë-Herzegovinë, u shpreh se për të arritur një paqe afatgjatë nevojiten kompromiset e duhura.

NATO ka mbështetur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor për 30 vite. Një rajon më i sigurt i Ballkanit nënkupton më shumë siguri për NATO-n. Do të vijojmë të luajmë rolin tonë në Kosovë. Sabiltieti  në rajon varet nga të gjitha palët. Diplomacia duhet të zgjidhet para dhunës. NATO do të vazhdojë të mbështesë normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, udhëhequr nga BE. Kjo është e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhme të qëndrueshme. Për ta shtyrë përpara këtë dialog, të dyja palët duhet të shfaqin fleksibilitet dhe të bëjnë kompromise të duhur. Kjo kërkon vendime të vështira, por duhet ta shohim në një pamje më të gjerë. Normalizimi sjellë stabilitet më të madh, më shumë mundësi investimi dhe siguri më afatgjatë për të gjithë rajonin”, tha Rutte.

Osmani, ndërkohë, kërkoi anëtarësimin e Kosovës në NATO, çka sipas saj do të rriste sigurinë në rajon. Sipas presidentes Osmani, Serbia po synon jo vetëm destabilizimin e Kosovës, por të të gjithë rajonit.

“Beogradi po synon të destabilizojë jo vetëm Kosovën por gjithë rajonin. Prania e trupave të NATO-s në Kosovë është edhe një barrierë kundër çdo përpjekje për kërcënimin e paqes dhe stabilitetit. Ne i bashkohemi thirrjeve të përsëritura të NATO-s dhe BE për përgjegjësi sa i përket sulmit ndaj ushtarëve të KFOR në maj 2023 dhe sulmeve të tjera. Mungesa e përgjegjësisë për autorët vetëm e ka inkurajuar Serbinë të vijojë me sulmet, ndaj është e rëndësishme që bashkërisht ta fuqizojmë prezencën edhe të personelit edhe të mjeteve për ta mbrojtur kufirin. Siç e ka thënë Presidenti Donald Trump, politika e paqes përmes forcës është  ajo që do të kuptohet më së miri në këtë  rajon, e sidomos ndaj atyre  që mund t’i shkojë mendja që të përdorin veprime destablizuese. Stabiliteti i rajonit është i lidhur ngushtë edhe me integrimin euroatlantik të vendeve të këtij rajoni. Është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në aleancë”, deklaroi Osmani.  

/rtsh.al/