Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur rinumërimin e votave në 50 vendvotime në të gjithë Kosovës, ku 35 prej tyre ndodhen në Vushtrrisë.
Vendimi për rinumërim u vendos me 9 vota, pas rekomandimeve të Këshillit të Operacioneve Zgjedhore. Sipas anëtarit nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, 15 nga këto vendvotime, të shpërndara në të gjithë Kosovën, do të rinumërohen për shkak të mospërputhjeve në nënshkrime.
“Kemi pranuar kërkesë të verifikimit të listës së votimit. Janë identifikuar 15 vendvotime që ka mospërputhje të nënshkrimeve. Këto 15 vendvotime rekomandojmë që të kenë një rinumërim të plotë për të gjitha subjektet politike të shpërndara në gjithë Kosovën”, tha Elshani.
Gjithashtu, KQZ ka vendosur për rinumërimin e 35 vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë, pas dyshimeve për keqpërdorim të votave dhe ndryshime në rezultatet e kandidatëve të LDK-së.
“Një raport i dytë është për rezultatet e kandidatëve të LDK-së. Nga ky raport të ndryshimeve mes rezultateve në QKN dhe rezultatet e dala nga rinumërimi ka ardhur si rekomandim që 35 vendvotime të hidhen në rinumërim të plotë që janë nga Komuna e Vushtrrisë. 35 kuti të votimeve do të rinumërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve për shkak të diferencave në mes të votave të kandidatëve, numërimi do të bëhet që të hiqen të gjitha dyshimet dhe të kemi konstatime të qarta se çka ka ndodh dhe cilat janë rezultatet reale që janë brenda atyre kutive të votimit”, tha Elshani.
Rinumërimi do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, për të siguruar transparencë dhe për të larguar çdo dyshim mbi procesin zgjedhor.
Sipas të dhënave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), partia kryesore është “Lëvizja Vetëvendosje” (LVV), që ka marrë 396,022 vota (42,27%), e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 196.353 vota (20.96%) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 171.249 vota (18.28%).
/rtsh.al/