RTSH 24 Live

Rajon

Marko Rubio: Veprimet e Dodikut kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje-Hercegovinës

08/03/2025

Marko Rubio: Veprimet e Dodikut kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje-Hercegovinës

Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio i ka konsideruar veprimet e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Milorad Dodik si kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje-Hercegovinës.

Sipas Rubios, veprimet e tij minojnë institucionet shtetërore të Bosnje Hercegovinës.

Veprimet e Presidentit të Republika Srpska, Milorad Dodik, po minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës, dhe po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj.

Ne inkurajojmë liderët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. U bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon që të bashkohen për të kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese”, shkruan Rubio në rrjetin social ‘X’.

Më 5 mars, Milorad Dodik dekretoi ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska - entiteti serb i Bosnjës - të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Ndërkaq, më 7 mars, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës vendosi masë të përkohshme dhe ndaloi zbatimin e këtyre ligjeve të entitetit serb.

Gjykata, Prokuroria e Bosnjës dhe SIPA janë formuar në bazë të ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Bosnje dhe Hercegovinës dhe janë konfirmuar nga Dhoma shtetërore e Popullit.

Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi ligjet më 27 shkurt, pasi Gjykata e Bosnjës dënoi Milorad Dodikun me një vit burg dhe i ndaloi ushtrimin e detyrës së presidentit të Republikës Sërpska për gjashtë vjet.

Që prej Marrëveshjes së Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 që i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore.

/rtsh.al/