RTSH 24 Live

Rajon

Rriten tensionet në Bosnje, Dodik ndalon policinë dhe gjyqësorin të zbatojnë vendimet ndaj entiteti serb

06/03/2025

Rriten tensionet në Bosnje, Dodik ndalon policinë dhe gjyqësorin të zbatojnë vendimet ndaj entiteti serb

Udhëheqësi serb i Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, ka nënshkruar një sërë ligjesh që ndalojnë forcën policore dhe gjyqësorin të ushtrojnë kompetencat e tyre në entitetin e tij serb, në Republikën Srpska. Këto ligje përshkallëzojnë edhe më tej krizën politike dhe tensionet në vend.

Veprimet e Dodik vijnë pas dënimit të tij me një vit burg dhe ndalimin për mbajtjen e detyrës për gjashtë vjet, për shkak të refuzimit për të zbatuar vendimet e Christian Schmidt, përfaqësuesit ndërkombëtar për mbikëqyrjen e marrëveshjeve të Dejtonit, që i dha fund luftës civile të viteve 1992-1995.

Ligjet e reja synojnë zyrën e prokurorit të shtetit që paditi Dodik dhe gjykatën shtetërore që e dënoi atë të mos ushtrojnë vendimet e tyre ndaj entitetit serb në Bosnje-Hercegovinë. Gjithashtu ligjet parashikojnë dënime deri në pesë vjet burg për punonjësit e Republikës Srpska që refuzojnë të largohen nga institucionet qendrore.

Dodik ka theksuar se ligjet do të rikthejnë "juridiksionin kushtetues" në Republika Srpska, duke u mbështetur në Kushtetutën e Bosnjës.

“Ne duam ta kthejmë Republikën Srpska tek ne, kjo është e drejta jonë. Ne rimarrim të drejtën e Republikës Srpska sepse kjo është e shkruar në Kushtetutë”, tha Dodik.

Megjithatë, ligjet kanë ngjallur kritika të forta nga politikanët e entitetit myslimano-kroat, që i kanë cilësuar si një tentativë për të minuar autoritetin e shtetit dhe për të destabilizuar vendin.

Ministri i Jashtëm i Bosnjës, Elmedin Konakoviç, ka denoncuar ligjet si një "grusht shteti" dhe ka paralajmëruar se një ankesë do të dorëzohet në gjykatën kushtetuese.

Në ndërkohë, Kryeministri i entitetit myslimano-kroat, Nermin Niksic, ka shprehur shqetësimin se Dodik ka vendosur të vazhdojë me këtë "aventurë të rrezikshme", duke rrezikuar që Bosnja të kalojë në një fazë më të thellë ndarjeje dhe tensioni.

/rtsh.al/