Kryeministri aktual Albin Kurti, i cili garon për një mandat të dytë në krye të qeverisë, ka votuar në Prishtinë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të Kosovës. Pas ushtrimit të të drejtës së tij të votës, Kurti theksoi rëndësinë historike të këtyre zgjedhjeve, si zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në shtetin e pavarur të Kosovës.
Ai falënderoi qytetarët që kanë votuar deri tani dhe inkurajoi të tjerët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“Këto janë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në shtetin e pavarur të Kosovës. Falenderoj çdo qytetar që ka votuar deri më tani dhe inkurajoj çdo njeri që të votojë dhe të ushtrojë të drejtën e votimit që zëri i tyre të dëgjohet. Përdorini votën e lirë për të vendosur për 4 vitet e ardhshme”, tha Kurti.
Kurti nënvizoi rëndësinë e angazhimit të qytetarëve për të formuar qeverinë e ardhshme dhe për të dhënë zërin e tyre në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën.
/rtsh.al/