Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, deklaroi se PDK-ja nuk do të përfshihen në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai deklaroi se vullneti i qytetarëve i dalë nga zgjedhjet e djeshme ishte i qartë, prandaj, siç tha, si partia e dytë më e madhe do të ndërmarrin hapat e nevojshëm në kohën e duhur për të zbatuar vullnetin e shumicës së votuesve.
“Ne nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, kemi dallime të mëdha. Ne e kemi detyrim e përgjegjësi që t’i japim qytetarëve qeverinë që ata e duan e që e kanë merituar. Si partia e dytë më e madhe ne do të ndërmarrim hapat e nevojshëm në kohën e duhur për të zbatuar vullnetin e shumicës së votuesve. Ne do të punojmë që t’u japim qytetarëve qeverinë për të cilën kanë votuar shumica. Ne, do të bashkojmë qytetarët dhe do të punojmë fort për të mbrojtur premtimin tonë për ta bërë Kosovën më të mirë”, tha Hamza para gazetarëve, në konferencën e tij të parë pas rezultatit preliminar zgjedhor.
Ai tha se do të presin që partia fituese të provojë formimin e qeverisë, e nëse ata dështojnë tha se opozita mund ta marrë drejtimin e qeverisë së re.
“Rezultati zgjedhor është që shumica e qytetarëve shqiptar duan qeveri të re, procedurat janë të qarta. Partisë së parë i takon të provojë t’i krijojë institucionet, për çka ne këtë procedurë e respektojmë. Nëse nuk mundet, opozita si fituese e këtyre zgjedhjeve mund ta marr qeverinë e re”, tha Hamza.