RTSH 24 Live

Kosovë

Kush i ka votat për qeverinë? - Radio Evropa e Lirë analizon mundësitë e krijimit të kabinetit të ri

11 orë para

Kush i ka votat për qeverinë? - Radio Evropa e Lirë analizon mundësitë e krijimit të kabinetit të ri

Me titullin kush i ka votat për qeverinë, Radio Evropa e Lirë analizon rezultatin e deritanishëm të zgjedhjeve në Kosovë. Përkthimin e përqindjeve në ulëse në parlamentin e Ksoovës, e bën drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti.

Sipas tij me 42 përqind të dala nga zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje përllogaritet të ketë 47 deputetë dhe me numërimin edhe të votave të diasporës, koalicioni i Albin Kurtit mund të sigurojë 49 deri në 50 deputetë.

Rezultati imponon kompromise, thotë Radio Evropa e Lirë duke iu referuar njohësit të çështjeve politike, Artan Muhaxhiri.

Bazuar në këto rezultate, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse është fituese e zgjedhjeve, nuk do të mund të qeverisë e vetme, sikurse në mandatin e kaluar.

Nëse Lëvizja Vetëvendosje vendos që ta bëjë Qeverinë vetëm me pakicat, atëherë kjo do të jetë një qeveri jashtëzakonisht jostabile, pasi që mezi do t’i arrijë 61 vota. Plus, mund të ketë probleme me Listën Serbe”, thekson Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Ndërsa për mundësinë e një koalicioni të madh opozitar ai thotë se “Nëse partitë opozitare mblidhen të gjitha, bashkohen dhe tentojnë të bëjnë Qeverinë, edhe kjo qeveri do të jetë jostabile dhe me pak gjasa për jetëgjatësi politike”.

Lëvizja Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni paszgjedhor me partitë e deritashme opozitare. Një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje e kanë përjashtuar edhe dy partitë tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, e cila sipas rezultateve preliminare është e dyta, nuk e ka vënë “vija të kuqe” për asnjë subjekt politik për koalicionet eventuale pas zgjedhjeve.

Lusi Përgjegji

/rtsh.al/