RTSH 24 Live

Muzikë

Nis sonte spektakli i muzikës italiane, edicioni 75 i Sanremos edhe në rrjetin e RTSH

5 orë para

Nis sonte spektakli i muzikës italiane, edicioni 75 i Sanremos edhe në rrjetin e RTSH

Nis sonte spektakli i muzikës italiane, edicioni i 75-të i Festivalit të Sanremos, që do të moderohet nga Carlo Conti, njëherësh edhe drejtori artistik i këtij edicioni.

Në këtë edicion, Conti ka zgjedhur të shoqërohet nga 12 bashkëprezantues. Në natën e parë atij do i bashkohen Antonella Clerici (lex. Kleriçi), e cila rikthehet për të tretën herë si prezantuese e festivalit, si edhe prezantuesi televiziv Gerry Scotti.

29 artistë do të garojnë me njëri-tjetrin në skenën e Teatrit "Ariston" dhe do të performojnë këngët e tyre, shoqëruar nga orkestra e festivalit.

Në këtë mbrëmje nuk do të mungojnë as artistët dhe të ftuarit specialë, si Jovanotti, këngëtaret Noa nga Izraeli dhe Mira Awad nga Palestina, të cilat do të vijnë me një mesazh paqeje, duke interpretuar versionin e tyre të këngës "Imagine" të John Lennon.

Edhe këtë vit, mbrëmja e 4-rt e festivalit do t'i kushtohet natës së nostalgjisë, ku 29 artistët do të performojnë nga një këngë të përzgjedhur të festivalit ndër vite.

Në përfundim të mbrëmjes së parë do të zgjidhen edhe 5 artistët më të votuar të natës së parë. 

Kjo mënyrë do të përdoret edhe në tri netët e tjera të spektaklit, ndërsa në natën e pestë finale, që do të mbahet më 15 shkurt, 29 artistët do të interpretojnë këngët konkurruese.

5 artistët më të mirë të renditjes së kombinuar të kësaj dhe tri shfaqjeve të para do të kalojnë në superfinale. Këtu ata do të performojnë sërish këngën e tyre, ndërsa juritë dhe televotimet do të votojnë për të përcaktuar fituesin, që do të përfaqësojë Italinë në Eurovision Song Contest këtë vit, më 17 maj në Bazel të Zvicrës.

Tri netët e para të edicionit të 75-të të Festivalit të Sanremos do të transmetohen në RTSH 2 dhe RTSH Muzikë, ndërsa nata e 4-rt gjysmëfinale dhe finalja e madhe do të transmetohen drejpërsëdrejti në RTSH 1 dhe Radio Tirana 1.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/