RTSH 24 Live

Muzikë

Ferdinand Deda, dirigjenti që la gjurmë dhe solli një frymë të re në muzikën shqiptare

3 orë para

Ferdinand Deda, dirigjenti që la gjurmë dhe solli një frymë të re në muzikën shqiptare

Ishte data 5 shkurt e vitit 1941 kur do të lindte një nga figurat më të shquara të muzikës shqiptare, dirigjenti dhe kompozitori i mirënjohur Ferdinand Deda.

Ai la një trashëgimi të pasur e një emër të paharruar në muzikën orkestrale, xhaz dhe muzikën e lehtë shqiptare.

Ferdinand Deda studioi në Liceun Artistik "Jordan Misja" dhe më pas vijoi studimet e larta në Konservatorin e Tiranës.

Talenti dhe pasioni i tij për muzikën e çuan drejt një karriere të suksesshme, ndërsa që kur ishte student punonte si dirigjent i Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar.

Deda solli një frymë të re në muzikën shqiptare, duke eksperimentuar me tingujt e xhazit, një risi për kohën.

Ai ishte një nga dirigjentët më të rëndësishëm të festivaleve të këngës në RTSH, duke kompozuar dhe orkestruar këngë që mbeten ende sot të dashura për publikun shqiptar, mes tyre edhe muzikën e shumë filmave shqiptarë.

Deda la pas një repertor të pasur, duke ndihmuar në zhvillimin e muzikës moderne shqiptare. Për kontributin e tij të çmuar është vlerësuar me çmime të rëndësishme.

Edhe pse nuk është më mes nesh, vepra e Ferdinand Dedës vijon të frymëzojë breza të tërë artistësh dhe muzikantësh.

Ai u nda nga jeta në gusht të vitit 2003.

Salla e Orkestrës Simfonike RTSH, sot mban emrin e tij: Salla "Ferdinand Deda".

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/