RTSH 24 Live

Ekonomi

Çfarë është Deklarata mbi Statusin Personal? Efektet në pagë, dypunësimi, zbritjet tatimore për fëmijët në ngarkim

4 orë para

Çfarë është Deklarata mbi Statusin Personal? Efektet në pagë, dypunësimi, zbritjet tatimore për fëmijët në ngarkim

Para disa ditësh Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar një njoftim zyrtar mbi ndryshimet në listë-pagesë dhe mënyrën e deklarimit të statusit personal të punonjësve. Këto ndryshime janë në zbatim të Ligjit nr. 29 miratuar në vitin 2023, “Për Tatimin mbi të Ardhurat”.

Të punësuarit kanë të drejtë të përfitojnë zbritjet nga baza tatimore, por më parë ata duhet të plotësojnë formularin në institucionet ku ata punojnë, ku do të deklarojnë numrin e punësimeve të tyre. Të vetë-punësuarit përjashtohen nga ky detyrim. Pavarësisht në sa vende pune ata punojnë, zbritja nga baza tatimore do të përllogaritet vetëm për një subjekt punëdhënës.

Plotësimi i deklaratës

Plotësimi i kësaj deklarate nuk sjell ndryshim në tatimin e pagueshëm për të ardhurat nga paga, në të gjitha nivelet. Tatimi i pagueshëm nga janari 2025 është identik me tatimin e pagueshëm për çdo nivel page si ai që ishte në muajin dhjetor 2024.

Ndryshimet e reja kërkojnë që punëmarrësit dhe punëdhënësit të respektojnë deklaratën e statusit personal për të përfituar zbritjet nga baza tatimore. Kjo do të sigurojë një përllogaritje të drejtë të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi.

Këto kërkesa nuk do të ndikojnë në pagesën e tatimit mbi të ardhurat nga paga që ju paguani aktualisht apo shumën e kontributeve për sigurimet shoqërore e shëndetësore që ju paguani.

Çelmeta për RTSH: Paga neto gjatë një muaji do të jetë më e lartë, do të tatohet më pak

Rozana Çelmeta, drejtore e Proceseve të Biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në një intervistë për RTSH-në sqaroi se me anë të këtij dokumenti, i punësuari kërkon që zbritjet e parashikuara në ligjin e ri të 'Tatimit mbi të ardhurat' t'i përfitojë në mënyrë të përmuajshme.

“Në këtë mënyrë, paga neto gjatë një muaji do të jetë më e lartë, pra, do të tatohet më pak dhe nuk do të presë që tatimi i mbajtur të përllogaritet në deklaratën individuale në fund të vitit, pasi të ketë mbaruar i gjithë viti ushtrimor”, Çelmeta.

Të punësuarit kanë të drejtë t'i përfitojnë zbritjet nga baza tatimore vetëm nëpërmjet një subjekti punëdhënës.

"Kjo është e rëndësishme për faktin se individi ka të drejtën që zbritjet nga baza tatimore ta përfitojë gjatë një periudhe mujore. Të drejtën për të përfituar këto zbritje i ka vetëm me tatimpaguesin me të cilin ka nënshkruar deklaratën e statusit," tregoi Çelmeta.

Deklarata mbi Statusin Personal

Deklarata mbi Statusin Personal është një dokument i detyrueshëm që duhet të plotësohet dhe firmoset nga punëmarrësi dhe punëdhënësi përpara se të aplikohet ndonjë zbritje tatimore nga paga bruto.

Një punëmarrës nuk mund të paraqesë këtë deklaratë në më shumë se një punëdhënës në të njëjtën periudhë kalendarike. Punëdhënësi që merr deklaratën do të aplikojë zbritjet tatimore, ndërsa të tjerët do të mbajnë tatimin mbi të ardhurat mbi pagën bruto, pa përfshirë zbritjet.

Punonjësit që kanë më shumë se një punëdhënës

Për ata që kanë më shumë se një punëdhënës, vetëm njëri nga punëdhënësit do të mund të zbatojë zbritjet tatimore, ndërsa të tjerët do të llogarisin tatimin mbi pagën bruto. Nëse një punëmarrës merr shpërblime ose përfitime jo mujore, mbajtësi i listëpagesës duhet t’i llogarisë dhe t’i zbresë ato mbi baza mujore.

Zbritjet

Zbritjet nga baza tatimore përfshijnë:

  • 50,000 lekë në muaj, për të ardhurat deri në 50,000 lekë.
  • 35,000 lekë në muaj, për të ardhurat mbi 50,000 deri në 60,000 lekë.
  • 30,000 lekë në muaj, për të ardhurat mbi 60,000 lekë.
  • 48,000 lekë në vit për çdo fëmijë në ngarkim(nën 18 vjeç), që mund të kërkohet nga njëri prej prindërve me të ardhura më të larta.
  • Shpenzimet për arsimin e fëmijëvederi në 100,000 lekë në vit, për individët me të ardhura nën 1,200,000 lekë në vit.

Zbritjet për fëmijë në ngarkim dhe për edukim përfitohen duke plotësuar Deklaratën Individuale.

Tatimi mbi pensionet vullnetare

Shuma që zbritet nga paga për fondet e pensionit vullnetar (bazuar në nenin 20 të Ligjit 29/2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat” i ndryshuar), vlera e kontributit mujor zbritet nga të ardhurat personale të të punësuarit për efekt të llogaritjes dhe mbajtjes së tatimit. Kjo zbritje nuk mund të tejkalojë vlerën e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi (aktualisht paga minimale e miratuar është 40,000 lekë).

Njoftimi për Ndryshimet në Listëpagesë – Janar 2025. Video ilustruese për hapat që duhet të ndiqni për ta plotësuar saktë

/rtsh.al/