Guvernatori Gent Sejko, në fjalën e tij gjatë tryezës së diskutimit për mbështetjen ndaj sektorit të bujqësisë, deklaroi se ky është një prej sektorëve kryesorë me performancën më të ulët të ekonomisë shqiptare. Sejko nënvizoi se kredia për sektorin bujqësor përbën më pak se 2% të kredisë bankare për bizneset.
Në këtë kuadër, guvernatori theksoi se nisma e fundit e Bankës së Shqipërisë për miratimin dhe vënien në zbatim të një programi financimi për biznesin mikro të vogël e të mesëm, ofron një mundësi për hapjen e një kapitulli të ri në kreditimin e sektorit bujqësor.
“Sektori bujqësor ka performancën më të dobët ndër sektorët madhorë të ekonomisë shqiptare, ecuri e cila diktohet nga disa probleme strukturore: fragmentarizimi i tokës; niveli i ulët i mekanizimit; integrimin e pakët horizontal dhe vertikal midis fermerëve tregut, e sektorëve të tjerë të ekonomisë.
Përmes një instrumenti bankar novator, me një linjë financimi prej 250 milionë euro, do të rrisim aksesin për kredi të buta për një nga sektorët prioritarë.
Me qeverinë si garante, do të mbështeten investimet në sera, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural”, deklaroi Sejko.
Ky i fundit u ndal dhe te rëndësia ekonomike e sociale e sektorit të bujqësisë, duke vënë theksin te kapitali njerëzor dhe ekonomia.
“Identifikimin e rrugëve dhe instrumenteve për përmirësimin e aksesit të sektorit bujqësor në financë. Rëndësia ekonomike e sociale e këtij sektori e lexueshme në shumë sektorë: sektori bujqësor punëson rreth 1/3 e fuqisë punëtore të vendit dhe gjeneron rreth 20% të prodhimit kombëtar.
E ardhura mesatare për frymë në zonat rurale sa 50% e të ardhurës mesatare për frymë në zonat urbane.
Problemet e zhvillimit të sektorit bujqësor kanë të bëjnë me dobësi strukturore të sistemit të prodhimit”, vijoi Sejko në fjalën e tij.
Guvernatori përmendi si një prej problemeve kronike të këtij sektori, aksesin e pakët në financë. Sipas tij, tryeza e sotme, është nisma e duhur në kohën e duhur.
Sejko konsideroi si tejet të rëndësishëm kreditimin e sektorit të bujqësisë.
“Ekonomia shqiptare ecuri pozitive gjatë dekadës së fundit. Vëllimi i aktivitetit ekonomik në terma realë në këtë hark kohor, është rritur me 39%, ndërsa të ardhurat mesatare për frymë janë rritur me 58%.
Në terma nominalë, ekonomia shqiptare ka kaluar në një ekonomi prej rreth 10 mld eurosh në 2014-ën, në një ekonomi aktualisht prej rreth 25 mld eurosh në 2024.
Kjo rritje ekonomike ka gjeneruar rritje të punësimit, pagave dhe mirëqenies të shoqërisë shqiptare.
Rolin primar e ka luajtur dinamizmi dhe sofistikimi në rritje i sektorit privat.
Politikat monetare, fiskale dhe financiare, si dhe reformat strukturore kanë mundësuar ambient stimulues të nxitjes së konsumit dhe investimeve. Kredia për sektorin privat shënoi një normë rritje prej 16% gjatë 2024-ës që nënkupton rritje 110 mld eurosh të portofolit të kredisë, duke përbërë fluksin kryesor të mbështetjes financiare për ekonominë”, përfundoi guvernatori.
/rtsh.al/