Kryeqendra e veriut, me pikat e veta turistike, përjetoi një nga momentet më të mira në vitin që lamë pas.
Mbi 500 mijë turistë vizituan destinacionet që ofron Shkodra.
Në një intervistë për RTSH, zëvendëskryetari i bashkisë së Shkodrës, Rudin Beka, rendit disa nga investimet në infrastrukturë që pritet t’i japin hov kësaj industrie në vitin aktual.
"Janë disa akse shumë të rëndësishme, si hekurudhura me Gjakovën që do kalojë drejt Shkodrës, pjesa e rrugës Shëngjin–Velipojë, që inaugurohet këtë vit, aksi i Dukagjinit. Për ne Alpet janë një pjesë shumë e rëndësishme për sa i përket turizmit alpin dhe atij veror apo dimëror. Kemi investime në pjesën e turizmit liqenor, në zonën e Shirokës," tregon z. Beka.
Në fokus për vitin 2025 është edhe trashëgimia e pasur historike dhe kulturore, si edhe rivitalizimi i saj.
"Kemi ndërhyrje të ndryshme tek Kalaja e Drishtit, e Rozafës, kemi muzeumin e lundrimit që fillon së shpejti, bashkë me Muzeun e Trashëgimisë dhe Kujtesës. Pra, të gjitha këto përbëjnë një rikonceptim për sa i përket infrastrukturës në turizëm dhe rritjes së cilësisë në shërbime, qoftë për qytetarët e Shkodrës, por edhe për turistët e huaj," thotë zv.kryetari i bashkisë së Shkodrës.
Shkodra është një nga zonat me potencial të madh turistik, që përfshin një kombinim të turizmit të natyrës, ekologjisë dhe kulturës.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/