Kosova të dielën (9 shkurt 2025) shkon në kutitë e votimit në kuadër të zgjedhjeve parlamentare. Për parlamentin e ri do të garojnë 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë të certifikuar tashmë nga KQZ-ja.
Numri i votuesve brenda dhe jashtë Kosovës është 2 milionë e 75 mijë e 868. Për votim jashtë vendit janë regjistruar 104.924, prej tyre 20.399 janë regjistruar për votim fizik në përfaqësitë diplomatike, ndërsa të tjerët mund të votojnë me postë në 19 shtete.
Heshtja zgjedhore këtë vit, pas ndryshimeve ligjore, do të jetë më ndryshe se në zgjedhjet e kaluara. Ajo do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit, dhe do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit më 9 shkurt në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00.
Deri më tani, partitë janë zotuar se do të garojnë pa koalicione, ndërsa rezultatet e zgjedhjeve priten fillimisht, për të vlerësuar më pas mundësitë për koalicionet pas-zgjedhore.
Ndryshimet në ligjin për zgjedhjet
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë përcakton rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Me ligjin e ri janë bërë disa ndryshime në procesin e votimit brenda dhe jashtë vendit. Duke filluar nga zgjedhjet e 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në dhjetë kandidatë të një subjekti politik.
Për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, që nga këto zgjedhje, lehtësohet procesi i votimit. Përveç dërgimit të fletëvotimeve me postë në adresë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e nëntë shkurtit do të mund të votojnë fizikisht në përfaqësi diplomatike.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që mbahen në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë, pasi deri më tani janë mbajtur një seri zgjedhjesh të parakohshme.
Fitorja e Vetëvendosjes në 2021
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 14 shkurt 2021, shpallën fituese Lëvizjen Vetëvendosje, duke sjellë ndryshime të mëdha në qeverisje pas një periudhe të gjatë.
Vetëvendosje qeverisi për katër vjet radhazi, pa bërë koalicion me partitë e mëdha, të cilat mbetën në opozitë për një mandat të plotë.
Një nga faktorët kryesorë që kontribuoi në këto ndryshime ishte zhgënjimi i qytetarëve me disa nga qeveritë e mëparshme, veçanërisht në lidhje me çështjet e korrupsionit, transparencës dhe zhvillimit ekonomik. Po ashtu, pandemia COVID-19 dhe pasojat e saj socio-ekonomike ndikuan në rritjen e kërkesës për ndryshim dhe stabilitet.
Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, doli si fitues i zgjedhjeve, duke fituar shumicën e votave, çka i mundësoi formimin e qeverisë me një bazë të fortë në Kuvendin e Kosovës. Retorika e Kurtit për drejtësi sociale, barazi dhe zhvillim të drejtë gjeti jehonë në mesin e votuesve, veçanërisht tek të rinjtë.
Fushata dhe sfidat e partive tradicionale
Partitë tradicionale, si Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pësuan rënie të ndjeshme në mbështetjen elektorale. Këto parti, të cilat për një kohë të gjatë kishin dominuar skenën politike në Kosovë, u përballën me sfida të mëdha në mbajtjen e bazës së tyre të mbështetjes, për shkak të perceptimeve të publikut mbi qeverisjen e tyre të mëparshme.
Tri partitë politike më të mëdha LVV, LDK dhe PDK garuan vetë në ato zgjedhje. Vjosa Osmani me listën e saj të kandidatëve të quajtur "Guxo" u bashkua me LVV para zgjedhjeve.
Rimëkëmbja ekonomike ishte në qendër të programeve të fushatës, praktikisht e të gjitha partive, duke përfshirë premtime si rritja e ndjeshme e pagës minimale, pensioneve, etj.
Në zgjedhjet e vitit 2021 numri i votueseve jashtë Kosovës ishte 102,100 votues krahasuar me 35,087 votues më 2019. Bazuar në rezultatet përfundimtare; LVV mori 438.335 vota apo 50.2 %, PDK mori 148.285 vota apo 17 %, LDK mori 110.985 vota apo 12.7 %. Për më tepër, rezultati në fjalë solli ndryshim dhe krijoj mundësinë që për herë të parë një parti politike e vetme të qeverisë me vendin
Ndryshimi në qeverisje solli gjithashtu ndryshime në qasjen ndaj politikës së jashtme, me fokus të ri në çështjet e dialogut me Serbinë dhe integrimit në organizatat ndërkombëtare.
Qeveria e Kurtit mori një qasje më të ashpër ndaj bisedimeve me Serbinë, duke kërkuar njohje reciproke dhe duke insistuar për trajtimin e çështjeve të brendshme të Kosovës me më shumë sovranitet.
Zgjedhjet që mbahen më 9 shkurt kanë një rëndësi të veçantë, pasi do të tregojnë nëse mbështetja për qeverinë aktuale do të mbetet e fortë apo nëse do të ketë një rikthim të forcave politike tradicionale.
Në fushatë partitë kryesore politike janë të përqendruar në mobilizimin e bazës së tyre dhe në artikulimin e strategjive të reja për të tërhequr votuesit. Debatet janë përqendruar rreth çështjeve si lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik, politikat sociale dhe çështjet e integrimit ndërkombëtar, si anëtarësimi i Kosovës në KE, si dhe në organizata ndërkombëtare si OKB-ja dhe NATO-ja.
Zgjedhjet pritet të jenë vendimtare për të treguar se si do të vazhdojë dialogu me Serbinë dhe çfarë roli do të luajë faktori ndërkombëtar në këtë proces.
/rtsh.al/