Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Kosovë tashmë kanë mbërritur mbi 1 milionë e 752 mijë fletëvotime për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.
Njoftimi u dha nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili shtoi se janë shtypur rreth 323 mijë fletë më pak se numri i votuesve.
"Këto fletëvotime janë shtypur në Celie të Sllovenisë dhe kanë ardhur para disa ditësh në Kosovë, dhe do të shpërndahen brenda disa ditësh sigurisht para ditës së zgjedhjeve në qendrat e votimit ku do të zhvillohet procesi zgjedhor më 9 shkurt. Sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 1.752.650 fletëvotime, prej të cilave 1.664.100 për votimin në vendvotime të rregullta, 28.450 për votimin me kusht; 38.650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë. Ndërkaq për votimin jashtë vendit në përfaqësi diplomatike janë shtypur 21.450 fletëvotime," u shpreh z. Elezi.
Zëdhënësi i KQZ-së u shpreh se mbi 21 mijë fletëvotimet janë dërguar tashmë edhe në përfaqësitë diplomatike ku më 8 shkurt do të votojnë emigrantët nga Kosova. Elezi tha se të martën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur edhe votat e para me postë të dërguara nga diaspora.
"Gjatë mbrëmjes së kaluar në KQZ në një hapësirë të veçantë të sigurt e cila ruhet 24 orë nga Policia e Kosovës kanë ardhur dërgesat e para të fletëvotimeve jashtë Kosovës të cilat janë pjesë e votimit përmes postës dhe këto pako me fletëvotime fillimisht do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit më pas në një fazë të mëvonshme pas ditës së zgjedhjeve pas disa procedurave do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve," tha zëdhënësi i KQZ-së.
Më 9 shkurt, Kosova mban zgjedhjet e përgjithshme, ku sipas KQZ-së me të drejtë vote janë mbi 2 milionë e 75 mijë e 868 shtetas.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/