RTSH 24 Live

Kosovë

Gjykata Speciale dënon me burgim Shalën, Januzin dhe Bahtijarin

3 orë para

Gjykata Speciale dënon me burgim Shalën, Januzin dhe Bahtijarin

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, që trajtojnë krimet e luftës, dënuan të martën (4 shkurt) një ish-komandant të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dy bashkëpunëtorë të tij nën akuzat për pengim të drejtësisë.

Në një njoftim të këtyre dhomave thuhet se Haxhi Shala u dënua me 3 vjet heqje lirie, ndërsa Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u dënuan me nga 2 vjet heqje lirie nën akuzat për “pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe për “frikësim gjatë procedurës penale”.

Dënimi pasoi një marrëveshje të të akuzuarve me Zyrën e Prokurorit të Specializuar të arritur në dhjetor të vitit 2024 për pranimin e fajësisë.

“Secili prej të akuzuarve pranoi se ishte pjesë e një grupi që tentoi të nxiste një person që të mos jepte dëshmi para Dhomave të Specializuara përmes premtimit të një përfitimi. Konkretisht, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, me udhëzim të Haxhi Shalës, kontaktuan personin në shtëpinë e tij, përkatësisht më 5 dhe 12 prill të vitit 2023”, thuhet në njoftim.

Shala ishte arrestuar me 12 dhjetor të vitit 2023, ndërsa Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari ishin arrestur në tetor të këtij viti.

Gjykata e Posaçme e njohur si Dhomat e Specializuara, trajton pretendimet për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e ish- Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mes tyre edhe ish-kryeministri Hashim Thaçi, i cili po përballet me dy procese gjyqsore.

Gazetar: Artur Mata 

/rtsh.al/