RTSH 24 Live

Kulturë

2025 shpallet Viti i Maks Velos, shumë aktivitete me rastin e 90-vjetorit të lindjes

7 orë para

2025 shpallet Viti i Maks Velos, shumë aktivitete me rastin e 90-vjetorit të lindjes

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL), Biblioteka Kombëtare, Shtëpia me Gjethe dhe Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit nënshkruan këtë të martë (4 shkurt) një marrëveshje bashkëpunimi me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Maks Velos, një figurë e rëndësishme e historisë dhe kulturës shqiptare.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është organizimi i aktiviteteve të shumta përgjatë vitit 2025-s, që do i dedikohen piktorit, shkrimtarit dhe arkitektit Velo.

Përmes kësaj marrëveshje do të ketë aktivitete për të kujtuar figurën e Maksit, rolin e tij në kulturën shqiptare“, tha Alda Bardhyli, drejtore e QKLL-së.

Përfaqësuesit e katër institucioneve të kulturës dhe historisë në vend u shprehën se kjo nismë do të shërbejë për të sjellë në vëmendje kontributin dhe trashëgiminë e Velos.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve 'Shtëpia me gjethe', duke qenë një muze kujtese, e ka Maks Velon pjesë të kalendarit historik, sëbashku me shumë përfaqësues të elitës intelektuale të vendit, të dënuar dhe persekutuar padrejtësisht gjatë regjimit komunist, jetën dhe veprat e të cilëve, muzeu përpiqet t’i mbajë gjallë“, tha Etleva Demollari, drejtore e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve.

Mënyra me e mirë për ta kujtuar dikë që nuk është më është duke ia kujtuar brezave të rinj, atë që ai ka lënë pas“, tha Piro Misha, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

Ka qenë ndër të parët që pati një kurajo të madhe dhe botoi dosjen. E botoi ashtu siç ishte. La një institucion akademik që ta trajtonte“, u shpreh Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit.  

Programi i aktiviteteve pritet të përfshijë ekspozita, konferenca, botime të veprave dhe studimeve mbi krijimtarinë e tij, si dhe diskutime mbi ndikimin që pati art dhe arkitekturë.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/