RTSH 24 Live

Kulturë

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, një sërë aktivitetesh për 45-vjetorin

03/02/2025

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, një sërë aktivitetesh për 45-vjetorin

I ndërtuar në vitin 1980 dhe i rindërtuar në 2016-ën, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një nga qendrat muzeale më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë.

Në kuadër të 45-vjetorit të krijimit, gjatë vitit 2025 do të mbahen një sërë aktivitetesh, mes të cilave është edhe botimi i numrit të 3-të të Revistës "Mbi artin mesjetar", ku studiues të njohur e specialistë referojnë me artikuj të ndryshëm.

"Çelet me promovimin e revistës së muzeut dhe vazhdojmë me aktivitetin mbi restaurimin me punonjësit e muzeut, si dhe bashkëpunime të tjera - çelja e ekspozitave të përbashkëta ose konferencave shkencore - ku të ftuarit do të jenë të shumtë dhe të larmishëm," shprehet drejtuesja e Muzeut, Fjoralba Prifti.

Prifti ka shtuar se, janë në program punëtori, zhvillime bisedash, ekspozita, si dhe aktivitete me nxënës të grupmoshave të ndryshme.

"Nxënësit do të vazhdojnë të jenë në fokus të aktiviteteve muzeale. Do të kemi bashkëpunime me shkolla të ndryshme, të gjitha në funksion të përthithjes së njohurive, si dhe të edukimit muzeor e estetik," tregon znj. Prifti.

Në kalendarin e aktiviteteve janë edhe ato të cilat muzeu i organizon në bashkëpunim me partnerë të tjerë, si në rastin e Javës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore dhe Ditës Kombëtare të Trashëgimisë.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/