RTSH 24 Live

Muzikë

Orkestra e RTSH, koncert me krijimtarinë e kompozitorit Limos Dizdari

03/02/2025

Orkestra e RTSH, koncert me krijimtarinë e kompozitorit Limos Dizdari

Krijimtaria më e mirë e kompozitorit të njohur shqiptar, romantikut të fundit Limos Dizdari, do të vijë e interpretuar në një mbrëmje të magjishme nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, nën dirigjimin e maestros Ermir Krantja.

"Nuk është një koncert i zakonshëm. Bën pjesë në ato mbrëmje muzikore që herë pas here i organizojmë me veprat e një autorit të vetëm, në rast jubilesh, ditëlindjesh etj. Është rasti që të përdorim këtë mrekulli, që është krijimtaria e Limos Dizdarit, do të thosha kompozitori i fundit i romantikëve, por me një gamë të gjerë emocionale, melodish," shprehet maestro Krantja.

Kompozitori Limos Dizdari, i vlerësuar edhe me titullin Artist i Merituar, njihet për kompozimet e muzikës së shumë filmave të njohur, për veprat simfonike, si edhe për kompozimin e këngëve të muzikës së lehtë mbështetur në traditën popullore shqiptare.

"Do të ketë një vepër madhore, që është Simfonia e tij nr.1. Gjithashtu do të shoqërohet nga koncerti për piano dhe orkestër me soliste Merita Rexhën, e cila njihet për cilësitë e saj si muzikante dhe pianiste. Do të jenë edhe dy kolona zanore nga 'Rrugë të bardha' dhe 'Fjalët e qiririt' nga filmi 'Mësonjëtorja'," thotë dirigjenti Krantja.

Për të gjithë artdashësit, koncerti i Orkestrës Simfonike të RTSH-së do të mbahet në datën 7 shkurt në sallën e Universitetit të Arteve.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/