Fillesat e muzikës në Shkodër lidhen ngushtë me historinë e saj të pasur dhe rolin që ka luajtur ky qytet si një qendër artistike dhe kulturore.
Bandat muzikore të shekullit XIX, kompozitorët e parë, rapsodët dhe këngëtarët popullorë i kanë rrënjosur këtij qyteti epitetin e artit dhe kulturës.
Artistët shkodranë janë të mendimit se krijimi i një muzeu arti, veçanërisht për muzikën, do të lartësonte më tepër kontributin e tyre dhe vlerat që bartin.
"Duke parë iniciativën kaq të madhe të kryetarit të bashkisë me këto aktivitete të bukura që po organizohen në qytetin tonë, kam bindjen se një grup artistësh mund t'i shkojnë në zyrë dhe t'ia sugjerojnë një gjë të tillë, sepse është një vlerë e madhe për qytetin e Shkodrës," thotë këngëtari Bujar Qamili, “Nderi i Kombit”.
Shkodra e meriton të ketë jo një por disa muze arti, shprehet ish-drejtuesja e teatrit "Migjeni", Rita Gjeka.
"Ne kemi gjëra jashtëzakonisht të bukura, kemi rroba jashtëzakonisht të bukura. Kam veshur një xhubletë, rrobat origjinale të 'Kopracit', që po t'i prekësh bien. Kanë nevojë për një xham. Gjithmonë buxheti..." tregon znj. Gjeka.
Muzikologu Qamil Gjyrezi e çon edhe më tej idenë e tij, që ka të bëjë me krijimin e një turi kulturor në banesat e muzikantëve të hershëm shkodranë.
"Kam parë që janë vënë dy-tre pllaka të muzikantëve të shquar. Në bashkëpunim me familjarët, mund të krijohet një lloj rrjeti i këtyre ndërtesave dhe të interesuarit mund të shkojnë e t'i vizitojnë dhe të nxjerrin konkluzionet," shprehet z. Gjyrezi.
Krijimi i një muzeu arti në Shkodër do të ishte një mundësi e mirë edhe për vizitorët, që do të njiheshin me një pjesë të historisë së këtij qyteti në muzikën shqiptare.
/rtsh.al/