RTSH 24 Live

Politikë

Ngërçi me gjyqtarët, Begaj kërkesë Kushtetueses: Rregullo përtëritjen e mandateve

7 orë para

Ngërçi me gjyqtarët, Begaj kërkesë Kushtetueses: Rregullo përtëritjen e mandateve

Presidenti i vendit Bajram Begaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese që të sqarojë dhe rregullojë mekanizmin e përtëritjes së mandateve të anëtarëve të saj.

Duke iu referuar mbi mandatin e gjyqtares Holta Zaçaj për të cilën Gjykata Kushtetuese mori vendimin për mbarimin e mandatit të saj, Begaj thekson se ajo u emërua në “detyrën e Gjyqtarit Kushtetues në janar të vitit 2023, me një vonesë prej gati 6 vitesh nga momenti i krijimit të vakancës, shkaktuar nga rrethana të njohura dhe të pavarura prej saj.”

Begaj vë në dukje se ashtu si Zaçaj me vonesë e kanë nisur detyrën edhe anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se përse nuk zbatohet i njëjti parim për gjyqtarët e tjerë.

Presidenti shpjegon më tej në kërkesën e tij se “emërimi me vonesë i të cilëve prish mekanizimin për përtëritjen e trupës.”

Me vonesë nga momenti i krijimit të vakancës janë emëruar të gjithë gjyqtarët kushtetues pas vitit 2016, deri më sot. Ligji për Gjykatën Kushtetuese përcakton se mandati i Gjyqtarit Kushtetues fillon në datën e kryerjes së betimit dhe mbaron, për gjyqtarët fillestarë, sipas rastit, tetë ose nëntë vjet më pas. Në kushtet e emërimit me vonesë të gjyqtarëve fillestarë, zbatimi i kësaj dispozite e asgjëson parimin e përtëritjes së pjesshme, si në vitin 2025, ashtu dhe në vitin 2028 apo në vitin 2031.

Në rastin e gjyqtares Zaçaj, Gjykata e ka gjetur zgjidhjen, duke lidhur fillimin e mandatit me datën kur ka përfunduar mandati i anëtarit pararendës të Gjykatës Kushtetuese dhe mbarimin e mandatit me afatin për përtëritjen e pjesshme të organit. Por, Gjykata nuk është shprehur nëse kjo zgjidhje vlen edhe për gjyqtarët e tjerë kushtetues, emërimi me vonesë i të cilëve prish mekanizimin për përtëritjen e trupës.

Përtëritja e pjesshme përfshin njëkohësisht tre mandate specifike. Që të ndodhë përtëritja e synuar nga Gjykata Kushtetuese për vitin 2025, duhet që arsyetimi i Gjykatës për përtëritjen të shtrihej edhe mbi dy mandatet e tjera që përkojnë me afatin e përtëritjes”, shkruan në kërkesën e tij kreu i shtetit shqiptar.

Begaj i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese që të sqarojë mekanizmin e ripërtëritjes së mandateve pasi në të kundërt sipas tij “nuk do ketë asnjë mundësi që të ndreqet deformimi i mekanizmit të përtëritjes”

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e qartëson këtë aspekt, ndërkohë që afati për deklarimin e mbarimit të këtyre mandateve është ezauruar nga Gjykata pa veprime, duke vendosur në vështirësi organet e emërtesës.

Gjykata Kushtetuese ka patur detyrimin për të krijuar qartësi të plotë rreth vendimmarrjes së saj, sikundër duhet të ishte zbatuesi i parë, i devotshëm dhe korrekt i vendimeve të veta. Në fakt, Gjykata ka preferuar që këtë përgjegjësi ta transferojë tek institucionet e tjera.

Në kushtet e mosveprimit të Gjykatës, Presidenti i Republikës ka shfrytëzuar mundësinë e vetme që i njeh ligji, mundësinë e depozitimit të një kërkese për mosmarrëveshje kompetence, për të bërë që Gjykata Kushtetuese të zgjidhë në mënyrë të drejtë, gjithëpërfshirëse, kushtetuese dhe shteruese ngërçin e krijuar me mekanizmin e përtëritjes së pjesshme.

Presidenti i Republikës shpreson se në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese do të mund të sqarojë në mënyrë të plotë dhe përfundimtare se si duhet të jetë përtëritja e pjesshme e Gjykatës, që ajo të konsiderohet në përputhje me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese duhet ta bëjë këtë sqarim, në mënyrë të tillë që të ketë vlerë për të gjithë gjyqtarët kushtetues aktualë, përndryshe nuk do ketë asnjë mundësi që të ndreqet deformimi i mekanizmit të përtëritjes dhe çdo ndërhyrje për shkurtimin e mandateve të caktuara, vetëm për një ose disa gjyqtarë, do të ishte në shkelje të hapur të Kushtetutës.

Bashkëlidhur këtij njoftimi po jepet për transparencë me publikun edhe teksti i kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese”, përfundon Begaj në kërkesën e tij.

/rtsh.al/