RTSH 24 Live

Politikë

Berisha: Protesta e 8 shkurtit ka synim votën e lirë!

5 orë para

Berisha: Protesta e 8 shkurtit ka synim votën e lirë!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një takim me drejtuesit politik të PD-së, deklaroi se, protesta e 8 shkurtit ka synim votën e lirë.

Gjatë fjalës me drejtuesit politik, koordinatorët dhe kryetarët e degëve, kryetari i PD-së, Sali Berisha denoncoi tentativat e Edi Ramës për të bllokuar të drejtën e shqiptarëve në diasporë që të votojnë. 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë thirrje për mobilizim të të gjithë qytetarëve dhe strukturave të PD-së për protestën e 8 shkurtit.

Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen me drejtuesit politik, koordinatorët dhe kryetarët e degëve u kërkoi atyre që të nisin punën që nesër me takime në të katër anët e Shqipërisë.

‘Të merrni masa, Tirana duhet të njohë protestën më të madhe në gjithë ekzistencën e saj’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha në takimin e thirrur në selinë blu.

“Protesta e datës 8, si çdo mosbindje e jona civile, ka synim votën e lirë të qytetarëve shqiptarë. Beteja jonë ndalet vetëm në fitore. Por, këtu duhet të mobilizojmë të madh e të vogël, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit dhe të ndërmarrim një seri aktesh mosbindje civile. Jemi në betejë me diktaturën, asnjë njeri nuk duhet ta harrojë këtë” tha ai.

Berisha kërkoi bashkëpunimin e demokratëve për të denoncuar shkeljet e zyrtarëve.

“Ju lutem shumë, kudo që t’i shihni zyrtarët, të cilët ligji i ndalon të marrin pjesë në fushatë elektorale, i gjuani me domate dhe vezë, i regjistroni dhe i fotografoni. I garantoj se do të dënohen shumë rëndë dhe se krimi elektoral do të shpallet krim i rëndë,” tha Berisha.

Kreu i PD tha se në 8 shkurt e gjithë Shqipëria zbret në Tiranë, ndërkohë që nuk duhet të hiqet fokusi nga takimet me diasporën dhe zgjedhjet e 11 majit.

 

/rtsh.al/