RTSH 24 Live

Politikë

Vota e diasporës, Peleshi: Vetëm me dokumente shqiptare, e papranueshme kërkesa e PD-së

7 orë para

Vota e diasporës, Peleshi: Vetëm me dokumente shqiptare, e papranueshme kërkesa e PD-së

Kryetari i Grupit të PS-së, Niko Peleshi ka replikuar me kreun e PD-së, Sali Berisha, i cili kërkon që emigrantët e diasporës të votojnë me pasaporta apo dokumente biometrike të vendit ku ata jetojnë.

Peleshi duke i quajtur absurde kërkesa të tilla nga ana e opozitës, tha se të kërkosh që dikush të votojë pa dokument identifikimi është e papranueshme.

Kuvendi nuk është një klub fshati dhe as nuk ka tendencë për të bërë gjyqe publike. Ne kemi ndërtuar institucionet e drejtësisë për këtë punë dhe duhet të presim që ata të bëjnë punën e tyre dhe të mos bëhet presion emocional dhe politik. Nuk duhet vrarë që pa lindur një marrëveshje e re dhe një nismë e negociuar në KQZ nga të dyja palët, mazhorancë dhe opozitë”, tha Peleshi.

Në këtë kontekst, Peleshi shtoi se “Nuk e di pse në momentin e fundit nuk është firmosur nga ju, z. Bylykbashi, dhe grupi juaj. Ne e kemi firmosur, e kemi sjellë në seancë. Vjen si nismë e deputetëve socialistë, por është e dakordësuar paraprakisht. Shpresoj që këto ndryshime të rëndësishme që i hapin rrugën edhe diasporës në vendet më të largëta që të votojë, pra për çështje që lidhen me logjistikën, afati, posta, pagesa që e ka marrë përsipër qeveria, e bëjnë më të lehtë votën, të votohen”.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së u bëri thirrje deputetëve të opozitës që t’i votojnë këto ndryshime, ndërsa sipas tij propozimi i PD është i papranueshëm.

Ose e duam, ose nuk e duam votën e diasporës. Ka shumë pikëpyetje edhe për ne, është një ushtrim i vështirë, por nuk mund ta zgjasim më tepër. Është një e drejtë që u është mohuar emigrantëve prej shumë vitesh. Më në fund ramë dakord, ta përsosim me ato ndryshime që kemi rënë dakord, por ju jeni tërhequr në fund. Ju thjesht i mbyllni rrugën disa qindra-mijëra emigrantëve për të votuar”, shtoi Peleshi. Të pranosh një proces votimi pa asnjë mjet identifikimi është e papranueshme, ose është sebep për ta hedhur në erë këtë proces. Ky do të ishte një lajm shumë i keq për diasporën dhe politikën shqiptare. Duhet të shkoni me guxim për një votë të mohuar prej 30 vitesh që tani u bë realitet. Ne e deklarojmë që tani që rezultati i 11 majit do të pranohet, do të njihet siç është. Ne jemi të bindur në një fitore të PS, por edhe ju nuk duhet të demonstroni këtë lloj pasigurie para se të dalë rezultati. Luftoni, punoni, takoni elektoratin dhe pranoni rezultatin e zgjedhjeve siç do jetë, kjo është demokracia”, tha Peleshi.

 

/rtsh.al/