RTSH 24 Live

Muzikë

Stina e re koncertore, Orkestra Simfonike e RTSH prezanton shfaqjen e radhës

16/01/2025

Stina e re koncertore, Orkestra Simfonike e RTSH prezanton shfaqjen e radhës

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar çel stinën koncertore për vitin 2025 përmes një koncerti me një program të larmishëm.

Nën dirigjimin e mjeshtrit Gridi Kraja dhe nën interpretimin e violinistes Laura llozi, e cila me talentin e saj ka spikatur në skenat europiane gjatë turneve ndërkombëtare, publiku do të ketë mundësinë të shijojë një program unik të mbushur me energji dhe emocion.

Dy premierat, "Valsi i lumturisë" dhe "Symphodance energy" nga kompozitori i njohur shqiptar Aleksandër Peçi, do të luhen për herë të parë, për të vijuar me Maurice Ravel (lex. Moris), të interpretuar nga solistja Llozi.

"Do të luaj 'Tzigane' nga Ravel. Është një pjesë shumë virtuoze, violinistike, me tema të rapsodive hungareze. Besoj që publiku do e pëlqejë shumë," u shpreh violinistja Llozi.

Për të, ky koncert nuk është një eksperiencë e re me Orkestrën e RTSH-së, pasi ka performuar edhe më parë me të, mirëpo emocionet mbeten njësoj të veçanta.

Për të gjithë artdashësit, koncerti do të mbahet mbrëmjen e 17 janarit në orën 18:00 në sallën e Universitetit të Arteve.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/